Një grup serbësh shprehen të gatshëm për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri

Nismat për realizimin e peticioneve për zgjedhjet në katër komunat veriore, janë paraqitur. Një gjë e tillë, është konfirmuar nga zyrtarë të Komunave të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit e Zveçanit, ku grupe qytetarësh janë paraqitur për t’u informuar për procedurat. Qeveria e Kosovës, respektivisht MAPL ka miratuar në shtator udhëzimin administrativ që përcakton rrugën ligjore për largimin e kryetarëve nga detyrat e tyre, përmes peticionit

Serbët në katër komunat në veri të Kosovës kanë formuar grupet nismëtare, të cilat të martën kanë paraqitur kërkesa te kryesuesit e kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për inicim të peticionit për shkarkim të kryetarëve.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanjin, për Portalin Dukagjini ka thënë se tre persona kanë shkuar para komunës dhe kanë lexuar diçka, por se nuk kanë pasur ndonjë kërkesë konkrete.

“Ka një iniciativë prej komunitetit serb. Kanë ardhur kanë lexuar diçka para komunës, por nuk kanë bërë ndonjë kërkesë, diçka në lidhje me mospunën e kryetarëve, por nuk kemi mbajtur ndonjë takim. Unë jam në vendin e punës, por skam pranuar ndonjë kërkesë “, ka thënë Ugljanin.

Ai thotë se nga informatat që ka, kërkesa për shkarkim të kryetarit bazohet në pretendimet e tyre për “mospunën e kryetarëve dhe vendimeve të njëanshme të tyre”.

Ndërsa nga KQZ kanë thënë se kanë pranuar disa emaila në lidhje me inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtar, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, ka thënë Valmir Elezi nga KQZ.

Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka miratuar në shtator udhëzimin administrativ që përcakton rrugën ligjore për largimin e kryetarëve nga detyrat e tyre përmes peticionit.

Sipas Udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, këto grupe përveç kryesuesve të kuvendeve komunale, duhet të njoftojnë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas Udhëzimit pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas, KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që t’i mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas, nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për ta përmbushur këtë kuotë, ku në bazë të kësaj, nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika