Një i mitur është therur me thikë mesditën e sotme në Gjakovë.
Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe fillimisht ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm.
Sipas autoriteteve, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, i cili bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 12:30.
“I dyshuari është identifikuar, por aktualisht ndodhet në arrati”, ka deklaruar Graishta.
Sipas Policisë, rasti po hetohet dhe është iniciuar si lëndim i rëndë trupor, ndërsa njësitë relevante janë duke punuar për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
