Një person ka humbur jetën dhe 22 të tjerë janë lënduar pasi një tendë e madhe u shemb gjatë një ceremonie fetare në natyrë në shtetin e Virxhinias, SHBA, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike.
Ngjarja ndodhi në East Lake Community Church, ku besimtarët ishin mbledhur për të shënuar 20-vjetorin e themelimit të kishës. Sipas autoriteteve lokale, një stuhi e fuqishme goditi zonën pak para incidentit, duke sjellë reshje të dendura shiu, vetëtima dhe erëra të forta.
Zyrtarët e Qarkut Bedford njoftuan se një person ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa 11 të lënduar u dërguan në spital për trajtim mjekësor. Edhe 11 persona të tjerë morën ndihmë në vend për lëndime më të lehta.
Pastori i kishës, Troy Keaton, tha se ceremonia po zhvillohej nën tendë kur moti u përkeqësua papritur, duke shkaktuar shembjen e strukturës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se tenda ishte inspektuar dhe kishte kaluar kontrollin e sigurisë nga shërbimet përkatëse të Qarkut Bedford vetëm pak ditë para ngjarjes. Hetimet për rrethanat e plota të incidentit janë në vazhdim.