Një i vdekur dhe 89 të plagosur nga përplasja e dy trenave në Bedford

Një aksident i rëndë hekurudhor në zonën e Bedfordit ka lënë të vdekur një makinist treni dhe ka shkaktuar plagosjen e 89 personave të tjerë, sipas autoriteteve britanike.

Shërbimi i ambulancës së Anglisë Lindore bëri të ditur se 11 persona kanë pësuar lëndime shumë serioze, 22 të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa 56 persona kanë marrë lëndime më të lehta.

Përplasja ndodhi të premten pasdite mes dy trenave të kompanisë East Midlands Railway, të cilët po udhëtonin në drejtim të Londrës, në stacionin St Pancras. Rrethanat që çuan në aksident mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve.

Policia Britanike e Transportit njoftoi se incidenti u shpall emergjencë e madhe menjëherë pas përplasjes, e cila ndodhi rreth orës 17:15 sipas kohës lokale.

“Fatkeqësisht, një person u shpall i vdekur në vendngjarje. Ai ishte shoferi i njërit prej trenave të përfshirë dhe familja e tij është njoftuar”, thuhet në deklaratën e policisë.

Sekretari i përgjithshëm i sindikatës RMT, Eddie Dempsey, shprehu dhimbjen për humbjen e makinistit, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi të rëndë për komunitetin hekurudhor.

Si pasojë e aksidentit, të gjitha shërbimet hekurudhore të East Midlands Railway drejt dhe nga Londra St Pancras u pezulluan gjatë mbrëmjes së së premtes.

Në operacionin e shpëtimit u angazhua edhe një ambulancë ajrore. Përplasja ndodhi në jug të Elstow, pranë kryqëzimit të rrugëve A421 dhe A6.

Pamjet ajrore nga vendi i ngjarjes tregojnë se shumica e vagonëve kanë mbetur në shina, megjithëse të paktën një prej trenave ka dalë pjesërisht nga binarët si pasojë e përplasjes.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika