Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e imamit G.T. në fshatin Zlipotok të Dragashit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, i pandehuri B.H. e ka privuar nga jeta viktimën pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me shfrytëzimin e një prone, përkatësisht një livadhi.
Ndërkaq, i pandehuri I.H., babai i B.H., dyshohet se, ndonëse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi t’i ofronte ndihmë viktimës pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta ndihmuar atë, edhe pse ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e nevojshme për të siguruar praninë e të pandehurve dhe për të mundësuar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Gjykata ka marrë parasysh edhe faktin se njëri nga të pandehurit ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke vlerësuar se lirimi i tij do të paraqiste rrezik ikjeje dhe shmangieje nga përgjegjësia penale.