Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehurin A.K., në lidhje me sulmin ndaj ekipit të mediumit “Nacionale”, në protestën e mbajtur në Prizren kundër festivalit “DokuFest”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i dyshuari me dashje e ka sulmuar gazetarin Vullnet Krasniqi, derisa ishte duke i kryer detyrat zyrtare të tij.

“I pandehuri A.K., me datë 11 gusht 2023 rreth orës 14:00., në Prizren, me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrat e tij zyrtare – të dëmtuarin V.K., (gazetar), në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari V.K., (gazetar), gjatë kryerjes së detyrës së tij merr në intervistë të pandehurin, ky i fundit A.K. e shtyen me dorë duke e sulmuar, pastaj i dëmtuari V.K. vazhdon t’i intervistojë protestuesit të tjerë të pranishëm ku has në rezistencë të të pranishmëve, dhe persona të tjerë e sulmojnë fizikisht gazetarin, me të cilat, veprime tek i njëjti shkaktojnë shqetësim”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se masa e paraburgimit është e nevojshme dhe e arsyeshme “për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit”.