Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën ka caktuar masën e paraburgimit prej një 30 ditësh ndaj personit me nacionalitet serb, M.B. i dyshuar për djegie të veturave me targa RKS në veri dhe për sulm ndaj zyrtarëve policorë.

Sipas njoftimit nga Gjykata, i dyshuari M.B., dyshohet se ka kryer veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasja në tentativë”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” si dhe “Zjarrvënie”.

“Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.B, për shkak të veprës penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 365 paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” neni 365 paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Sulm ndaj personit zyrtar” gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe Zjarr vënie nga neni 322 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.B e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi të pandehurit i llogaritet prej kohës së ndalimit dhe atë prej datës 01.04.2023 deri me datë 01.05.2023.”, thuhet tutje.

Ndryshe, më 1 prill, Policia e Kosovës ka bërë të ditur së kishte arrestuar të dyshuarin i cili dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policorë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

“Policia e Kosovës, në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të veprave kriminale dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale, ka arrestuar një person të dyshuar, i cili kërkohej mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra penale. Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intensive të kryera nga njësitet relevante policore”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu, i njëjti ishte i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës.