Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, që të pandehurit Gj.Gj., t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas njoftimit, i pandehuri do të mbahet në paraburgim deri më 25 korrik, […]
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, që të pandehurit Gj.Gj., t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit, i pandehuri do të mbahet në paraburgim deri më 25 korrik, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 25 qershor.
“Sipas kërkesës, “me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20min në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor”. Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, në seancën dëgjimore të mbajtur në ambientet e spitalit ku i pandehuri gjendet për trajtim mjekësor, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, dy persona janë vrarë të dielën e 25 qershorit në Gjakovë.
Policia e Kosovës kishte konfirmuar se viktimat janë vëllezër.
“Bëhet fjalë për vrasjen e dy personave, vëllezër. Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, e tjetri rrugës për spital. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e dy personave meshkuj të moshës madhore. Në këto momente janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin policor.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 në fshatin Madanaj, ku viktimat janë qëlluar me armë zjarri. Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, e tjetri rrugës për spital.
Më pas, Policia e Kosovës kishte arrestuar të dyshuarin.















