Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Igor Popoviqit, zëvendësdrejtor në Zyrën për Kosovën në Qeverinë serbe.

Ai dyshohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërsa paraburgimi është caktuar me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, masa është vendosur pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me arsyetimin se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për sigurimin e zhvillimit normal të procedurës penale.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i paraburgimit është masë adekuate në këtë rast dhe e domosdoshme për mbarëvajtjen e procedurës”, thuhet në vendimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore.

Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

Pas këtij fjalimi në Rahovec ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.