Një muaj pas tërmeteve të fuqishme që goditën bregdetin verior të Venezuelës, shumë familje ende nuk dinë fatin e të afërmve të tyre, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të nxjerrin trupa nga rrënojat.
Sipas të dhënave të përditësuara nga qeveria, deri më tani janë konfirmuar mbi 5.300 viktima, ndërsa më shumë se 16.500 persona kanë mbetur të plagosur.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur numrin zyrtar të të zhdukurve, por vlerësohet se ai arrin në dhjetëra mijëra, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Një nga historitë më prekëse është ajo e Victor Calderón, një peshkatar 49-vjeçar, i cili ndodhej në det kur ndodhën tërmetet. Me t’u kthyer në tokë, ai mësoi se ndërtesa ku jetonte familja e tij ishte shembur.
Nga tragjedia, Calderón humbi 26 anëtarë të familjes, përfshirë motrat, fëmijët dhe nipërit e tyre, njerkun dhe nëntë kushërinj. Ai thotë se ende nuk ka mundur të qajë për ta, pasi vazhdon të kërkojë trupat e të zhdukurve.
“Është diçka e tmerrshme. Nuk kam qarë ende për ta, derisa të gjenden edhe të fundit që mungojnë”, tha ai.
Qyteti Caraballeda, në shtetin La Guaira, konsiderohet epiqendra e katastrofës. Në kompleksin e banimit OPPE 26, ku jetonte familja e Calderónit, ekipet e shpëtimit vazhdojnë të nxjerrin viktima nga rrënojat.
Vetëm së fundmi, nga mbetjet e ndërtesave u nxorën tre trupa, mes tyre edhe ai i një vajze 11-vjeçare, ndërsa babai i saj shpërtheu në lot pasi kërkimet njëmujore morën fund.
Shumë të mbijetuar dhe familjarë të viktimave po shprehin zemërim ndaj autoriteteve, duke kërkuar përgjigje se si u shembën 10 nga 12 blloqet e banimit në kompleks. Ata dyshojnë për mangësi në projektim, materiale ndërtimore të papërshtatshme ose neglizhencë.
Ministri i Punëve Publike, Juan José Ramírez, i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se ndërtesat ishin ndërtuar sipas standardeve dhe se asnjë vend nuk do të mund të përballonte dy tërmete të fuqishme që goditën pothuajse njëkohësisht.
Në qytetin bregdetar Catia La Mar, një nga momentet më shpresëdhënëse ishte shpëtimi i një roje sigurie, Hernán Gil, i cili u nxor i gjallë nga një parking nëntokësor tetë ditë pas tërmeteve.
Megjithatë, për shumë familje kërkimet vazhdojnë. Laura Barrios ende pret të gjejë trupin e kunatit të saj, ndërsa një ditë më parë u gjetën trupat e kunatës dhe dy fëmijëve të saj, të moshës 10 dhe 3 vjeç.
Ajo akuzon autoritetet për reagim të ngadaltë dhe shprehet e zhgënjyer pasi makineritë e rënda janë zhvendosur në zona të tjera, ndërkohë që familja e saj vazhdon kërkimet.
Ndërkohë, mijëra të mbijetuar jetojnë ende në çadra të improvizuara dhe varen nga ndihmat humanitare për ushqim dhe ujë, ndërsa përpiqen të rindërtojnë jetën pas një prej fatkeqësive më të rënda në historinë e fundit të Venezuelës.