Gjatë natës në shkollën e fshatit Jabllanicë e Vogël në Pejë, një person ka thyer dritaren e një klase dhe ka vjedhur katër ditarë.

Sipas njoftimit të Policisë, drejtori i shkollës, ka njoftuar policinë për këtë incident, duke pohuar se një person i maskuar ka kryer vjedhjen.

Ai ka thyer dritaren e një klase dhe ka hyrë në brendësi të shkollës, ku ka dëmtuar derën e sallës së arsimtareve.

Më pas, nga kjo sallë, ka vjedhur katër ditarë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërkohë që veprimet e të dyshuarit janë kapur nga kamerat e sigurisë të shkollës.

“Fsh. Jabllanicë e Vogël, Pejë  04.12.2024-02:03. Ankuesi mashkull kosovar, drejtori i  shkollës, ka njoftuar se gjate natës një person i panjohur i maskuar ka thyer dritaren e një klase dhe përmes dritares së thyer ka hyrë në brendi të shkollës ku kishte dëmtuar derën e sallës se arsimtareve dhe prej aty kishte vjedhur katër ditarë dhe ishte larguar nga ai lokacion. Veprimet e të dyshuarit janë kapur nga kamerat e sigurisë së shkollës. Rasti po hetohet nga policia”, thuhet në njoftim.

Për momentin, nuk ka informacion nëse ka mundur të identifikohet i dyshuari.