Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) në Serbi ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj për Kosovën dhe shqiptarët.
Ministrja në fjalë thuhet se ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe deklarata shoviniste, duke thënë se ajo ka deklaruar se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.
Sipas kësaj partie opozitare, deklarata e mëvonshme e Paunoviqit se kishte nënkuptuar dëbimin e njerëzve në “vendin e tyre të origjinës” tregon se nuk bëhej fjalë për një formulim të gabuar, por për një qëndrim të shprehur me vetëdije.
PSG ka thënë se është veçanërisht shqetësuese që deklarata të tilla vijnë nga një ministre e cila ka përgjegjësi për administratën publike dhe duhet të garantojë barazinë e të gjithë qytetarëve para institucioneve, raporton Danas.
Kjo lëvizje ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë së mundshme penale, duke iu referuar nenit 317 të Kodit Penal të Serbisë, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare. PSG ka kërkuar që prokuroria të shqyrtojë nëse deklaratat e ministres përbëjnë vepër penale.
Sipas PSG-së, deklaratat e Paunoviqit dëmtojnë edhe interesat e Serbisë dhe pozitën e serbëve në Kosovë, pasi, sipas tyre, forcojnë perceptimin se Serbia ende nuk është shkëputur nga politikat e viteve ’90.
Paunoviq i bëri këto komente në një intervistë për gazetën “Kurir”, duke thënë se nëse do të ishte në pozitën e Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, ajo do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, duke e cilësuar këtë si “deklaratën më të ashpër” që ka bërë ndonjëherë.