Një punonjës i Aeroportit të Frankfurtit ka humbur jetën nga malaria, pasi një shpërthim i rrallë i infeksionit ka prekur gjashtë punonjës të aeroportit në Gjermani.
Sipas autoriteteve gjermane të shëndetit publik, dyshohet se mushkonjat që transmetuan sëmundjen kanë mbërritur në aeroport me një avion.
Pesë punonjësit e tjerë të infektuar po marrin trajtim mjekësor, ka bërë të ditur operatori i aeroportit, Fraport, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Në aeroport janë vendosur kurthe për mushkonjat, ndërsa insektet e kapura do të analizohen në laborator për të përcaktuar llojin dhe origjinën e tyre.
“Fatkeqësisht, duhet të konfirmojmë se një punonjës ka humbur jetën si pasojë e infeksionit”, deklaroi një zëdhënës i Fraport për BBC.
Autoritetet kanë informuar punonjësit e aeroportit dhe u kanë bërë thirrje që të konsultohen me mjekun nëse shfaqin simptoma.
Sipas Institutit Robert Koch, katër nga rastet e para u shfaqën mes 4 dhe 6 korrikut. Instituti kishte deklaruar se mushkonjat mund të ishin sjellë në Gjermani me avion dhe se transmetimi i malaries brenda një aeroporti gjerman është një fenomen shumë i rrallë.
Në Gjermani, shumica dërrmuese e rasteve të malaries lidhen me udhëtarë që janë infektuar në zona ku sëmundja është endemike. Mungesa e historikut të udhëtimit mund ta vështirësojë diagnostikimin dhe të rrisë rrezikun e një forme të rëndë të sëmundjes.
Rasti i fundit i njohur i malaries së transmetuar në një aeroport gjerman ishte regjistruar në vitin 2023, po në Aeroportin e Frankfurtit.
Malaria shkaktohet nga një parazit dhe transmetohet te njerëzit përmes pickimit të disa llojeve të mushkonjave. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundja është e parandalueshme dhe e trajtueshme, por në disa raste mund të shkaktojë simptoma të rënda dhe kërcënuese për jetën.