Policia e Kosovës ka nisur hetime ndaj një shtetasi të Shqipërisë, pasi më 3 qershor, gjatë një kontrolli në pikën kufitare të Vërmicës, në automjetin e tij janë gjetur dhe sekuestruar 7 bidonë me një substancë të panjohur.

Pas analizave laboratorike, më 9 qershor është konfirmuar se lënda e sekuestruar është material që mund të përdoret edhe për eksploziv.

I dyshuari është ndaluar fillimisht nga Policia, por me vendim të prokurorit rasti po hetohet në procedurë të rregullt.

“PKK Vërmicë 03.06.2025-20:20. Ditë më parë është ndaluar i dyshuari shtetas i R. Shqipërisë pasi që gjatë kontrollit të automjetit i janë gjetur dhe sekuestruar 7 bidon të mbushura me lëndë të panjohura. Më 09.06.2025 është vërtetuar se lënda është material i cili mund të përdorët edhe për eksploziv. Me vendim të prokurorit rasti është duke u hetuar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.

Policia njofton se rasti po trajtohet si vepër penale “dërgim apo transportim i kundërligjshëm i lëndëve eksplozive ose lëndëve ndezëse”.