Njëri nga të dyshuarit në rastin e Liridona Ademajt do të mbrohet në liri

I dyshuari i katërt, i cili sipas prokurorisë është i përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, T. D. do mbrohet në liri

Foto nga vendi i ngjarjes ku u vra Liridona Ademaj

I dyshuari T.D, i përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023 në Prishtinë, i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe do të mbrohet në liri.

Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së mbrojtësit të të pandehurit T.D, të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës Themelore Prishtinë dhe kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës me datë 17.04.2024 ka marrë vendim dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, ashtu që të pandehurit T.D i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është lëshuar të mbrohet në liri”, ka njoftuar Gashi.

T. D., gjendej nën masën e paraburgimit që nga data 11.12.2023.

I njëjti ishte arrestuar më 09.12.2024 për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve”.

Lidhur me këtë rast si të dyshuar të tjerë janë edhe Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Të njëjtëve me vendimin e Gjykatës së Prishtinës të datës 23.04.2024 u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 23.04.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajsh, e cila masë iu është llogaritur nga data 28.04.2024 deri më 27.06.2024”, ka vijuar Gashi.

Liridona është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes së prokurorisë, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli, ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë dhe sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë kishte dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, Liridona Ademaj.

Ajo nuk kishte arritur të dilte nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika