Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer në operim mëngjesin e së hënës.

Sipas njoftimit, ky rikthim në operim erdhi pas një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të nevojshme për të siguruar funksionimin e njësisë në kushte optimale.

Si pjesë e procedurave të domosdoshme, punimet e realizuara përfshinë sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse dhe ekonomajzer, pastrimin e komorave të kondenzatorit dhe mirëmbajtjen e sistemeve të MRRK, ndër të tjera.

KEK-u ka theksuar se procesi i startimit të njësisë A5 është kompleks dhe ka zgjatur rreth 3–4 orë.

Gjatë kësaj periudhe, mund të ketë pasur rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet, një dukuri e zakonshme sipas tyre, gjatë startimit të çdo njësie prodhuese të këtij lloji, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

Pas stabilizimit të njësisë, siç konfirmohet edhe nga fotografitë, tymi ka pushuar dhe faza e startimit ka përfunduar me sukses.