Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka përfunduar hetimin e nisur ndaj një shtetasi rus që alarmoi strukturat antiterror në shkurt të vitit 2023, pasi kërcënoi me shpërthimin e një bombe në aeroportin e Rinasit.
Dosja ndaj 44-vjeçarit, Vladislav Urban, është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku SPAK kërkon gjykimin e tij për veprën penale të kanosjes për kryerje të veprave me qëllime terroriste.
Referuar hetimit të nisur fillimisht nga Prokuroria e Kryeqytetit dhe më pas të kaluar për kompetencë në strukturën e posaçme, 44-vjeçari shkaktoi tension te autoritetet përmes një e-maili të dërguar në adresën elektronike të shefit operacional të Rinasit.
Në tekst, ai kërcënonte me shpërthimin e një bombe nëse qeveria shqiptare nuk do ta njihte Kosovën si Serbi dhe pretendonte se kishte marrë peng dy shtetas shqiptarë.
“Përshëndetje, emri im është Vladislav Urban. Nëse po e lexoni këtë mesazh, atëherë ka një bombë në shtëpinë tuaj. Ju duhet të kërkoni nga qeveria juaj që ta njohë Kosovën si serbe, që të mos shpërthejë bomba. Dhe për ta bërë këtë, unë kam kapur dy shtetas shqiptarë dhe po i mbaj në shtëpinë time në Greqi, në një vilë private. Nëse nuk respektoni, ata do të jenë në rrezik të madh. Keni 48 orë për të shpëtuar shumë jetë shqiptarësh. ZV Kosovo je Serbia”, thuhet në e-mail-in kërcënues i dërguar në aeroportin e Rinasit.
Hetimi zbuloi se dërguesi ishte Vladislav Urban, i lindur në Moskë, Rusi dhe banues në Selanik, Greqi.
Përmes bashkëpunimit me homologët grekë, autoritetet mësuan se 44-vjeçari jetonte i vetëm në adresën e deklaruar në e-mail, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe, nga verifikimet e kryera, nuk rezultonte të mbante peng ndonjë person.
Një muaj përpara e-mailit për Rinasin, Urban dyshohet se kishte dërguar mesazhe të ngjashme në aeroportin e Athinës dhe në një spital në Greqi, ku kërcënonte se do të vriste qytetarë grekë. Sipas hetimit, 44-vjeçari nuk ka asnjë hyrje-dalje në territorin shqiptar.
Për drejtësinë shqiptare, Vladislav Urban ka një masë sigurie “arrest në burg”, të dhënë në mungesë, ndërsa pritet vijimi i procesit gjyqësor ndaj tij./A2
