Njihuni me kryeqytetet evropiane të kulturës në vitin 2024

Bodo në Norvegji, Tartu në Estoni dhe Bad Ischl në Austri ndajnë të tria titullin e Kryeqytetit Europian të Kulturës

Bad Ischl, një qytet në rajonin austriak të Salzkammergut, pranë kufirit me Bavarinë në Gjermani, është një vend i njohur turistik.

Qindra mijë njerëz vijnë këtu çdo vit për të shijuar peizazhet piktoreske malore të rajonit, me liqene të pastër kristal dhe livadhe të gjelbëruara në verë ose me majat e mbuluara me borë në dimër.

Këto arsye kanë tërhequr në qytet edhe fisnikërinë austriake. Perandori Franz Joseph I dhe perandoresha Sisi kaluan në Bad Ischl shumë vera, ku edhe u fejuan në vitin 1853.

Në vitin 2024, Bad Ischl dhe 22 komunitetet përreth do të bëhen një nga tre Kryeqytetet Europiane të Kulturës– së bashku me Tartu në Estoni dhe Bodo në Norvegji.

Tartu në Estoni.

Ndryshimet klimatike, historia dhe Conchita Wurst

Bad Ischl dhe komunitetet e tjera duan të realizojnë së bashku më shumë se 300 projekte për të treguar se rajoni nuk ka vetëm peizazhe idilike.

Programi do të hedhë dritë, ndër të tjera, te pasojat e mbiturizmit dhe ndryshimeve klimatike, si dhe tek e kaluara e vështirë e rajonit.

Synimi është të “hidhet dritë tek anët pozitive dhe negative të gjithë rajonit dhe të mos transformohet [në vitin e Kryeqytetit Europian të Kulturës] në një spektakël piroteknik apo në një festival” – deklaroi kuratorja e programit Elisabeth Schweeger për agjencinë gjermane të shtypit DPA.

Tom Neuwirth, i njohur më mirë si fituesi i Eurovizion, Conchita Wurst, që vjen nga rajoni i Salzkammergut, mori pjesë në koncertin e hapjes së bashku me artistë të tjerë.

E krijuar nga minierat e kripës

Kripa është nxjerrë në zonën e Salzkammergut për të paktën 7000 vjet dhe “ari i bardhë” i dha formë rajonit.

Bad Ischl në Austri.

“U zhvillua falë kripës, është pasuruar falë kripës dhe falë kripës do të përballet me të ardhmen e saj – tha Schweeger. – Tani është momenti t’i shtohet një tjetër element thelbësor – kultura. Është motori i qëndrueshmërisë Salzkammergut dhe shumë më gjerë.

Projektet për Kryeqytetin Europian të Kulturës përfshijnë një ekspozitë të artistit kinez Ai Weiwei, i cili do të shfaqë edhe traditën e minierave të kripës.

Ekspozita të tjera do të trajtojnë artin e grabitur nga nazistët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, regjimi nazist fshehu vepra dhe thesare të artit të grabitura në një tunel malor në Bad Ischl.

Një ekspozitë në Bad Aussee do të hedhë dritë edhe mbi jetën e tregtarit të artit Wolfgang Gurlitt, koleksioni i të cilit përfshinte vepra arti të grabitura nga nazistët.

Koncertet me muzikë nga Arnold Schönberg dhe një operetë nga Oscar Straus do të nxjerrin në pah shumë artistë dhe artdashës hebrenj që ishin të lidhur ngushtë me Salzkammergut.

Një tjetër projekt lidhet me historinë e monarkisë së Habsburgëve. Salzkammergut ishte fillimisht pronë private e Habsburgëve.

Një reflektim kritik mbi të shkuarën

Bad Ischl numëron vetëm 14.000 banorë. Komunitetet e tjera të rajonit që i janë bashkuar për të krijuar Kryeqytetin Europian të Kulturës, kanë, në disa raste, një popullsi prej vetëm disa qindra banorësh.

Rajoni, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që prej vitit 1997, duhet të përballet me një fluks vizitorësh çdo vit. Historiani Michael Kurz i Bad Goisern, i cili e njeh mirë rajonin, thotë se kishte njëfarë shqetësimi gjatë fushatës së Kryeqytetit Europian të Kulturës. Vendasit shpesh pyesnin: “A kemi nevojë?”.

Në anën tjetër, siç thekson kuratorja Elisabeth Schweeger, më shumë se 85% e aktiviteteve janë organizuar nga sponsorë lokalë dhe rajonalë projektesh.

Ndër të tjera, marrja e një perspektive të jashtme për rajonin është një mundësi që komuniteti të reflektojë në mënyrë kritike mbi historinë dhe kulturën e vet, shtoi ajo.

Tartu – zemra dhe shpirti i Estonisë

Tartu në Estoni.

Qyteti i Tartu, në Estoninë Lindore, është shumë më pak i njohur. Me thuajse 100.000 banorë, është qyteti i dytë më i madh në vend, pas kryeqytetit Talin.

Nga pikëpamja ekonomike, duket qartë se është nën hijen e kryeqytetit estonez. Nga pikëpamja kulturore, qyteti i vjetër universitar hanseatik është të paktën në të njëjtin nivel me të. Tartu tradicionalisht është parë si zemra dhe shpirti i shtetit të vogël baltik në Europën Verilindore.

“Tartu ka qenë gjithmonë një qendër për shkencën, arsimin dhe kulturën në Estoni” – tha kryebashkiaku Urmas Klaas.

Dikur Tartu ishte djepi i zgjimit kombëtar për Estoninë dhe vendlindja e festivalit të këngës estoneze, teatrit estonez dhe madje edhe të vetë shtetit estonez.

Më 2 Shkurt 1920, në Tartu u nënshkrua Traktati i Paqes i Dorpat – emri i vjetër gjerman i Tartu – në të cilin Rusia Sovjetike njohu sovranitetin e Estonisë, e cila ishte bërë e pavarur në vitin 1918.

Nëpërmjet një koncepti artistik të quajtur “Arti i mbijetesës”, Kryeqyteti Europian i Kulturës, Tartu, do të zhvillojë më shumë se 1000 aktivitete.

Ndër to, ndër më të rëndësishmit janë “Kissing Tartu”, një ngjarje puthjesh masive; “Naked Truth”, një festival opinionesh ku diskutimet mbahen në sauna; si dhe shfaqja teatrore “Business as Usual”, e frymëzuar nga skandalet e pastrimit të parave që tronditën bankat estoneze.

Nga data 12 deri më 18 gusht do të zhvillohet Tartu Pride, për të festuar legalizimin e martesave të të njëjtit seks në Estoni, një ligj i ri i cili hyri në fuqi më 1 janar 2024.

Bodo fokusohet te qëndrueshmëria

Bodo është Kryeqyteti i tretë Europian i Kulturës për vitin 2024. Ndodhet lart në veri, në bregun perëndimor të Norvegjisë, dhe është Kryeqyteti i parë Europian i Kulturës në veri të Rrethit Arktik.

Me më shumë se 1000 aktivitete, Bodo dhe rajoni përreth Nordland duan të tregojnë se kanë jo vetëm natyrën e Arktikut që të lë pa frymë, por edhe një kulturë tërheqëse. Organizatorët shpresojnë të tërheqin më shumë se 500.000 persona gjatë vitit.

Rajoni është i madh – një udhëtim me makinë nëpërmjet Nordland nga veriu në jug do të përshkojë më shumë se 800 kilometra.

“Bodo2024” është projekti më i madh kulturor i realizuar deri më tani në Norvegjinë e veriut.

Bodo synon të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës më i qëndrueshëm. Në pranverë do të mirëpresë atë që organizatorët e cilësojnë “koncerti më i qëndrueshëm në botë”, i quajtur “Pure Music”.

Edhe kultura e Sami, popullsia indigjene e rajonit, do të marrë vëmendje të veçantë, duke përfshirë një aktivitet teatror muzikor me shumë pjesë.

Disa ngjarje kanë një lidhje me Gjermaninë, duke përfshirë ceremoninë e hapjes më 3 shkurt.

Një ngjarje e rëndësishme është planifikuar për prag të mesit të verës më 22 qershor, kur mund të admironi diellin e mesnatës.

Festivali i parë i Nordland Light do të mbahet në nëntor dhe dhjetor, kur ditët të shkurtohen përsëri. /Katror.info

Të fundit nga rubrika