Njohësit e diplomacisë: Qasja e Gërvallës brenda strukturës së MPJD-së i ngjan “Gjuetisë së shtrigave”

Përvjetori i dytë i qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, po e gjen atë me një situatë të rëndë në politikën e jashtme. Qasja e ministres brenda për brenda strukturës së Ministrisë, i ngjan më shumë “Gjuetisë së shtrigave”, sesa një reformimi të mirëfilltë të Shërbimit të Jashtëm, vlerësojnë njohësit e diplomacisë

Përvjetori i dytë i qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, po e gjen atë me një situatë të rëndë në politikën e jashtme dhe në Shërbimin e Jashtëm, vlerësojnë njohësit e diplomacisë.

Pjesa e programit qeverisës që i kushtohet politikës së jashtme, kryesisht fokusohet në rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo, përmes njohjeve të reja, si dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro, që janë pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, dhe të njëjtat, kanë shprehur rezerva sa i përket njohjes, pa u arritur një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale, përveç çështjeve ndërshtetërore, do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në OKB”, thuhet në Programin e Qeverisë së Kosovës, 2021-2025, duke shtuar se “Politika e jashtme e një vendi është e mençur kur është e qëndrueshme në parime, por fleksibile në realizimin e synimeve”.

Por, për Emir Abrashin – njohës i politikës së jashtme, përgjatë këtyre dy viteve, ka pasur një mungesë konsistence nga ana e qeverisë në politikë të jashtme, dhe, sipas tij, këto dy vite janë karakterizuar me mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi me aleatët kryesorë të vendit.

“Shërbimi i Jashtëm në përgjithësi është në një situatë të keqe, dhe është jofunksional. Lufta e brendshme dhe spastrimet që Gërvalla po i bën kanë shkaktuar mosbesim te diplomatët e Republikës së Kosovës, të cilët rrjedhimisht edhe janë të pamotivuar për të shtyrë para interesat e vendit. Pra, qasja e ministres brenda për brenda strukturës së Ministrisë, i ngjan më shumë gjuetisë së shtrigave, sesa një reformimi të mirëfilltë të Shërbimit të Jashtëm”, ka thënë Abrashi në një prononcim për Portali Dukagjini.

Emir Abrashi – Njohës i diplomacisë

Për të pasur një politikë të jashtme funksionale, është i domosdoshëm rifunksionalizimi i Shërbimit të Jashtëm, i cili, sipas Abrashit, është dëmtuar shumë që nga ardhja e Donika Gërvallës në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Për t’u funksionalizuar Shërbimi i Jashtëm, unë i shoh dy rrugë, ose duhet të ndërrojë qasjen Donika Gërvalla, ose duhet të ndërrohet Donika Gërvalla. Me të njëjtën qasje, druaj se dëmet për Shërbimin e Jashtëm dhe për Kosovën, do të jenë të pariparueshme”.

Sipas tij, është e pafalshme që të vazhdohet me të njëjtin avaz dhe se duhet te ketë një ndryshim radikal të qasjes ndaj politikës së jashtme.

“Kosova vërtet nuk ka kohë për të humbur, dhe duke marrë parasysh statusin e saj ndërkombëtar, si vend me shtetësi të kontestuar, gabimet amatoreske të cilat kanë ndodhur përgjatë këtyre dy viteve janë të pafalshme”, shtoi Abrashi.

Puna me intensitet të ulët në pjesët e tjera të botës, përpos që nuk solli ndonjë njohje të re përgjatë këtyre dy viteve, siç thotë Abrashi, e solli “konfirmimin për çnjohje nga ana e Togos, nga vetë kryediplomati i këtij shteti në konferencë për media në Beograd”.

“Deri më tani, çështje e çnjohjeve ka mbetur në nivelin e spekulimeve të Beogradit, duke mos u konfirmuar asnjëherë nga ato shtete të cilat thuhej se e kanë çnjohur Kosovën. Përkundrazi, në të kaluarën, është bërë punë intensive me ato vende që është pretenduar se e kanë çnjohur Kosovën, dhe për rrjedhojë është dëshmuar që një pretendim i tillë i Beogradit është i pavërtetë. Në rastin konkret, diplomacia kosovare dështoi të kundërpërgjigjet, dhe tanimë e kemi me zë dhe figurë kryediplomatin e një shteti që e konfirmon çnjohjen. E kjo nuk ka si mos t’i atribuohet kësaj qeverie, e cila ka qenë e mbyllur për bashkëpunim me pjesën tjetër të botës”.

Se qeveria “ka dështuar” në diplomacinë kosovare, e thotë edhe anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

Në një prononcim për Portali Dukagjini, Kadrijaj ka thënë se përveç se nuk ka të reja në diplomaci, gjendja reale dhe aktuale, sipas saj, tregon se është dëmtuar imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Është një qeveri e dështuar sepse në vend që të rritë kredibilitetin e diplomacisë kosovare në arenën ndërkombëtare, e kemi ulur atë si shtet. Qeveria është më jotransparente sa i përket politikës së jashtme, është karakterizuar me skandale të njëpasnjëshme duke përfshirë inatet politike”, ka thënë ajo.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj

Krejt çka ka bërë kjo qeverisje në politikën e jashtme përgjatë këtyre dy viteve, sipas Kadrijaj, është shkarkimi pa të drejtë i figurave kyçe nga pozitat tyre.

“Ajo çka mundemi të themi se ka bërë kjo qeveri në 2 vjet të qeverisjes në politikën e jashtme është se ka shkarkuar pa të drejtë ambasadorë, konsuj, punëtorë që kanë punuar nëpër konsullata dhe pa paralajmërime, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë qeveri të kaluar”, ka thënë ajo.

Siç thekson deputetja nga AAK, shkarkimi i shumë ambasadorëve në të njëjtën kohë dhe moszëvendësimi i tyre për një periudhë të gjatë kohore, ka dëmtuar diplomacinë, sepse janë ambasadorët që i përcjellin politikat e shtetit dhe janë ata që lobojnë për të gjitha çështjet, qoftë për aplikim në organizata ndërkombëtare, qoftë për vendet mosnjohëse.

Madje, Kadrijaj potencoi se ngecja tjetër është edhe mossjellja e asnjë projektligji në kuvend, të cilët janë paraparë edhe vitin e kaluar.

“Pos që nuk kemi asnjë veprim konkret në këtë drejtim, ne kemi edhe mbylljen e disa qendrave kulturore që kanë funksionuar në disa shtete të Evropës, e që kjo qeveri i ka mbyllur, nuk ka asnjë progres, përkundrazi ka regres dhe e shohim se kemi kritika në vazhdimësi sepse kjo qeveri ka dëmtuar raportet më mike që i kemi”.

Ajo thotë se kanë kërkuar si komision që qeveria ta ketë një strategji për lobim në vendet mosnjohëse, por që ende nuk shohin ndonjë lëvizje.

Në anën tjetër, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë se MPJ-ja duhet të fokusohet në ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale fqinjësore dhe më gjerë; promovimit të imazhit dhe vlerave të Kosovës; përfaqësimin dinjitoz të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit kudo që e mundur; angazhimit të pakusht për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës, NATO dhe Union Evropian; si dhe promovimit të mundësive dhe potencialeve ekonomike për investime të jashtme në vendin tonë.

Sipas tij, secila nga këto dhe të gjitha së bashku, do të përbënin interes vital për shtetin e Kosovës.

“Të gjithë e dimë se shërbimi i jashtëm ka lënguar nga një mori arsyesh, e në mungesë të rezultateve të dëshiruara, kemi pasur ngecje në prurjen e njohjeve të reja, e edhe kjo periudha dyvjeçare e qeverisë aktuale, ka njohur këtë ngadalësim si rrjedhojë e mungesës së një strategjie të mirëfilltë dhe koherente prej vitesh tashmë. Ndërhyrjet politike, kuadri i munguar profesional dhe prioritetet strategjike kanë krijuar këtë gjendje anemike në diplomacinë tonë”, ka thënë ai në një prononcim për Portali Dukagjini.

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Ai theksoi se shërbimit të jashtëm të Kosovës i ka munguar një konsistencë e aktiviteteve diplomatike, i ka munguar një strategji e mirëfilltë, e po ashtu edhe objektiva të qarta strategjike.

E për rrjedhojë, ka pasur ngecje lidhur me njohjet e reja apo edhe shtimin e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

“Ndërkaq mosnjohja e Kosovës në bllok nga Unioni Evropian, por e lënë në vullnetin vetanak të shteteve anëtare, ka bërë që këto shtete për arsyet historike e politike të tyre të kenë hezituar njohjen e Kosovës shtet”.

Megjithatë, ai ka folur edhe për të arriturat gjatë kësaj periudhe në këtë dikaster.

“Nga çfarë është bërë publike, disa nga vendimet e Ministrisë së Jashtme kishin të bënin me ndërhyrje në risistemimin e personelit pranë shërbimit të jashtëm, por ato më me peshë për nga veçantia e tyre janë; aplikimi i Kosovës për anëtarësim pranë organizatës më të madhe në Evropë, Këshillit të Evropës; pjesëmarrja e Kosovës në Bashkësia Politike Evropiane, në Pragë më 6 Tetor, 2022 si dhe aplikimi i Kosovës për ‘statusin e vendit kandidat’ pranë Unionit Evropian, më 14 Dhjetor 2022, në të cilat, angazhime ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë MPJ-ja”.

MPJD s’flet për njohjet, preferon të heshtë

Gjatë këtyre viteve, Kosova u përball me një fushatë të ashpër nga diplomacia serbe, që vazhdimisht lobonte për tërheqje të njohjeve të shtetit të Kosovës.

Fushata e Serbisë dhe lajmet se disa shtete kishin tërhequr njohjet, krijuan dilema për numrin e saktë të shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Në web-faqen e MPJD-së, aktualisht janë të shënuar emrat e 117 shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Portali Dukagjini ka pyetur në ministri se cila do të jetë strategjia e re për të siguruar njohje të reja dhe se cilat shtete dhe rajone do të jenë prioritet për diplomacinë kosovare, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Rasti i ambasadorit Berishaj

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka mohuar të gjitha pretendimet për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi, te politikani slloven.

Ambasadori i Kosovës nq Kroaci, Martin Berishaj

Njohësi i politikës së jashtme, Abrashi ka thënë se ky rast shpërfaqi standardet e dyfishta që kjo qeveri i ka për njerëzit e vet.

Ai thotë se nëse akuzat për ambasadorin Berishaj janë të vërteta apo jo – gjë që i takon drejtësisë, Berishaj është dashur të lirohet nga detyra për t’u ballafaquar me drejtësinë si qytetar i lirë.

“Përderisa qysh me marrjen e mandatit, Donika Gërvalla i pati shkarkuar të gjithë ambasadorët me çelës politik, pavarësisht rezultateve, duke u treguar e pamëshirshme ndaj tyre – por edhe duke shpërfaqur mungesë konsiderate për shtetet ku ata ambasadorë ishin të akredituar – në rastin Berishaj, po tregohet mëshirë shumë më e madhe se që do të duhej, duke i vënë në siklet edhe palën kroate, si vend ky Berishaj është i akredituar”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, për deputeten Kadrijaj është e çuditshme që ambasadori Berishaj ende nuk është shkarkuar.

“Sepse po të ndodhte një gjë e tillë kur LVV ishte në opozitë nuk paramendohet se çka do të kishin bërë, do të kishin bllokuar kuvendin dhe tani ky ambasador siç shihet ka lidhje të ngushtë edhe me presidenten edhe kryeminstrin, gjë që po shihet se ka financuar fushtatat atëherë dhe nuk e kanë guximin ta shkarkojnë qoftë edhe shkarkim moral sepse çfarë kredibiliteti ka ai ambasador me të gjitha këto afera duke qenë i lidhur me mafien energjetike, cili është kredibiliteti i tij dhe sa seriozisht merret ky dhe qeveria e Kosovës që e lë një ambasador të tillë me të gjitha këto skandale ta përfaqësojë shtetin e Kosovës, është një denigirim që po i bëhet politikës së jashtme dhe një turp”, tha ajo.

Kurse, njohësi i diplomacisë, Pula thotë se institucionet duhet të veprojnë vetëm nga domosdoshmëria ligjore-institucionale.

Martin Berishaj është profesor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në disa programe dhe module të arsimit të lartë në Slloveni dhe jashtë saj (Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Hungari, Itali).

Berishaj, në të kaluarën, kishte qenë pjesë e komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të krijuar nga Ramush Haradinaj.

Në dhjetor të vitit 2021, Berishaj zyrtarisht ka marrë postin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, duke zëvendësuar ish-ambasadorin, Gëzim Kasapolli.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika