Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare ku po raporton për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbajtur në Ohër, më 18 mars, ka thënë se për herë të parë që nga fillimi i procesit të dialogut, normalizimi i marrëdhënieve nuk është më pjesë e premtimeve verbale, por i atyre me shkrim.

Kurti beson se tuneli është i gjatë (i normalizimit të marrëdhënieve më Serbinë), por po i vjen fundit, duke theksuar se aleatët ndërkombëtarë të Kosovës po duan ta sjellin Serbinë drejt Evropës, por, Kurti për këtë është treguar skeptik.

“Për herë të parë që nga fillimi i dialogut, normalizimi i plotë nuk është pjesë e premtimeve verbale por i atyre me shkrim, tuneli besoj është i gjatë por aty po i vjen fundi. Aleatët tanë duan ta sjellin Serbinë drejt Evropës, unë nuk kam shumë shpresë për këtë…”, ka thënë Kurti

“Tani kemi një dokument të ri në dorë dhe duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë, armë e fuqishme për të ecur më përpara. Kosova tash e ka një mekanizëm të ndarjes së pushtetit, nuk mund të lejojmë të shkelen parimet evropiane dhe të drejtat e njeriut. Çdo mundësi diskriminuese duhet ta ndalojmë. Duhet t’i shmangim problemet që janë shfaqur në Bosnje. Ajo për të cilën u dakorduam, mandati ligjor për të do të burojë nga konventa për mbrojtje të pakicave, por nuk bazohet në territorialitet. Unë kurrë, asnjëherë, askund nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale, megjithatë marrëveshjet e mëhershme 2013/2015 janë bazuar. Territorialiteti atëherë ka qenë thelbi që ne nuk guxojmë ta lejojmë. Ju ftoj që bashkërisht të kalojmë nga standardet e Vuçiqit dhe Daçiqit në standardet e Bashkimit Evropian”, ka shtuar Kurti.

Kurti tha se nuk ka rrugë të lehtë për Kosovën, pasi Serbia është shprehur kundër nënshkrimit të marrëveshjes së arritur në Ohër.

“Nuk pres rrugë të lehtë përpara, Serbia me deklarata tashmë është shprehur kundër marrëveshjes që ka nënshkruar. Por Kosova ka vendosur që rruga e Kosovës është Evropa. Ne po bëjmë më të mirën që dimë dhe mundemi për të dalë sa më mirë nga kjo”, ka shtuar ai.