Ish-i burgosuri, Sabri Novosella ka rrëfyer detaje nga veprimtaria e tij me Adem Demaçin dhe vitet e kaluara në burgjet jugosllave, në kuadër të ciklit të intervistave ekskluzive “Dosjet” të emisionit “Debat Plus”.
Novosella tha se ishte anëtarësuar në organizatën e themeluar dhe drejtuar nga Adem Demaçi që në ditët e para të saj.
Ai tregoi se me Demaçin kishte qenë fqinj dhe se familjet e tyre kishin pasur marrëdhënie të afërta.
“Që nga ditët e para, kam qenë i organizuar pasi që me Adem Demaçin ne kemi qenë komshi, kemi qenë bashkë, kemi qenë shumë të afërt me njëri-tjetrin”, tha Novosella.
Sipas tij, nëna e Demaçit kishte qenë shoqe e nënës së tij, ndërsa kjo afërsi familjare kishte ndikuar edhe në lidhjen e tij me organizatën.
“Prej ditëve të para që ka filluar Adem Demaçi me organizatën e tij më ka anëtarësua dhe mua. Fillimisht anëtar, pastaj u themelua Komiteti i Qarkut, u degëzua organizata në të gjitha anët, atëherë kam qenë anëtar i Komitetit të Qarkut të Prishtinës”, rrëfeu ai.
Novosella foli edhe për dënimin e tij me burg të rëndë, të cilin e kishte marrë në vitin 1964 së bashku me Adem Demaçin dhe veprimtarë të tjerë.
Ai tha se ishte dënuar me nëntë vjet burg, ndërsa Demaçi ishte dënuar me 15 vjet.
“Me burg të rëndë, nëntë vjet burg jam dënuar me Adem Demaçin dhe të tjerët. Adem Demaçi është dënuar 15 vjet, unë u dënova 9 vjet”, deklaroi Novosella.
Duke folur për vuajtjen e dënimit, Novosella tregoi se nëntë muajt e parë i kishte kaluar në burgun e Prishtinës, ndërsa pjesën tjetër të dënimit në Goli Otok.
“Unë burgun e ’64-ës, nëntë muaj i kam bërë në burgun e Prishtinës, kurse pjesën tjetër e kam bërë në burgun Goli Otokut”, tha ai.
Novosella i cilësoi ato si “burgje shumë të rënda”, duke kujtuar një prej periudhave më të vështira të jetës së tij dhe të veprimtarëve shqiptarë të dënuar për veprimtarinë e tyre politike.