Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, ka deklaruar gjatë dëshmisë së tij se Shtetet e Bashkuara nuk kishin informacion të qartë mbi strukturën komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës.
Ai tha se amerikanët nuk e dinin kush i lëshonte komunikatat e UÇK-së, ku përmendeshin emra të udhëheqësve, dhe për këtë arsye nuk mund të përcaktonin një hierarki të organizuar.
Ai shtoi se kishte mësuar se Hashim Thaçi ishte pjesë e Drejtorisë Politike të UÇK-së, por nuk e dinte se kush tjetër përfshihej në të.
“Kishte shumë persona, që nuk ishin në Qeveri, apo në agjenci të tjera amerikane që përpiqeshin të mësonin se kush e udhëhiqte UÇK. Kur dilnin emra të rinj, ne interesoheshim. Një prej këtyre emrave ishte drejtori publik. Por ne duhej ta komunikonim këtë person”.
“Nuk mund t’i përdornim komunikatat për të përcaktuar një strukturë bazë hierarkike”, ka thënë Hill.
Hill theksoi se Drejtoria Politike nuk dukej të ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, pasi, sipas tij, ky i fundit kishte karakter më shumë ushtarak, ndërsa drejtoria merrej me kontaktet me botën e jashtme.
“Supozimi ynë ishte që shtabi i përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej nga komandantë lokalë që ishin bashkuar në një moment dhe drejtoria politike ishte më shumë organi që merrej me botën e jashtme… Ideja që drejtoria kishte ndonjë rol brenda shtabit ishte diçka që personat brenda drejtorisë, përfshirë Demaçin ishte përpjekje për të treguar se ne jemi përgjegjës”, ka shtuar Hill.
Ai tregoi se kishte udhëtuar edhe në Shqipëri për t’u takuar me Xhavit Halitin, pasi disa zyrtarë amerikanë besonin se ai ishte personi përgjegjës, megjithatë nuk u arrit të gjendej një përfaqësues zyrtar i UÇK-së.