Një person i kërkuar me urdhërarrest aktiv është arrestuar mbrëmjen e së martës në Shtime, pas një ndjekjeje nga zyrtarët policorë të stacionit lokal.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, ngjarja ka ndodhur më 29 korrik 2026, rreth orës 22:15, në rrugën “Tahir Sinani”, ku hetuesit gjatë patrullimit kanë vërejtur një automjet, shoferi i të cilit nuk u kishte dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar.
Policia i ka dhënë shenjë për ndalim, por shoferi nuk i është bindur urdhrit dhe ka vazhduar lëvizjen. Pas aktivizimit të sinjalizimit të automjetit policor, ai ka rritur shpejtësinë dhe ka kryer manovra të rrezikshme në komunikacion, duke tejkaluar automjete edhe mbi trotuar.
Pas një ndjekjeje të shkurtër, i dyshuari ka hyrë në rrugën “12 Qershori”, ku, pasi ka hasur në një rrugë pa dalje, ka ndaluar automjetin dhe është larguar me vrap. Njëri nga hetuesit ka vazhduar ndjekjen në këmbë dhe, pas urdhrave verbalë për ndalim, ka arritur ta neutralizojë dhe arrestojë të dyshuarin.
Pas shoqërimit në stacionin policor në Shtime, është konstatuar se personi i arrestuar ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv. Sipas të dhënave zyrtare, ai ishte arratisur nga institucioni korrektues gjatë vuajtjes së dënimit dhe për rreth tre vjet kishte qëndruar jashtë vendit.
Me vendim të gjyqtarit kompetent, i dyshuari me inicialet A.S. (21 vjeç) është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia ka bërë të ditur se gjatë tentativës për arratisje dhe arrestimit, i dyshuari ka bërë rezistencë aktive dhe ka pësuar lëndime të lehta trupore. Atij i është ofruar trajtim mjekësor në QKMF-Shtime.