Një rast i moszbatimit të urdhrave të personit zyrtar është raportuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Prush të Gjakovës, ku tre shtetas të huaj dyshohet se nuk iu bindën urdhrave të policisë dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ndalimit.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 19 shtator 2026, rreth orës 23:55.
“Njësia Policore ka ndaluar veturën Golf-7, në të cilën ishin tre persona meshkuj. Veturën e drejtonte një shtetas i huaj, me dy pasagjerë, shtetas të tjerë”, thuhet në raportin policor.
Policia ka bërë të ditur se në momentin kur të dyshuarit kanë kuptuar se do t’u kontrollohej vetura, vozitësi është larguar me shpejtësi nga vendi i ndalimit.
“Vozitësi ik me shpejtësi nga vendi i ndalimit, ndërsa dokumentacioni dhe telefoni i të dyshuarve mbesin tek njësia policore”, thuhet më tej në njoftim.
Njësitet policore më pas kanë arritur ta identifikojnë lokacionin e veturës, ku është konstatuar se të dyshuarit, gjatë largimit, kanë shkaktuar edhe aksident.
“Policia ka arritur të identifikojë lokacionin e veturës, ku është verifikuar se të njëjtit kanë shkaktuar edhe vet aksident gjatë ikjes”, thuhet në raport.
Vetura është konfiskuar nga Policia, ndërsa tre të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar.
