Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka organizuar një protestës gjithëpopullore me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave” e cila është thirr për datën 5 dhjetor në Prishtinë në Ora 18:00 në sheshin Zahir  Pajazit.

“Të martën, bëhemi bashkë të gjitha/ë në shesh, e çdo ditë tjetër luftojmë krahas vajza e grave. Për siguri dhe liri për gratë dhe vajzat në Kosovë!”, thuhet në njoftimin e  Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Ndërsa ato kanë thënë se  javën e fundit janë  njoftuar se një polic e përdhunoi një të mitur në Gjakovë, e një burrë pagoi vrasjen e bashkëshortes së vet në Prishtinë.

“Ne, gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe për sigurinë e njëra-tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfatë në secilën hapsirë, e disa prej nesh po i vret. E kjo nuk bën të vazhdojë kështu. Ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë përderisa burrat vazhdojnë të dhunojnë e vrasin vajza e gra. Vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa për gratë çdo ditë është gjendje lufte. Luftë për ekzistencë, luftë për t’u mos u dhunuar, luftë për të mos u vrarë”, thuhet në njoftimin e OJQ-së.

Sipas Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhuna ndaj grave nuk po janë  incidente të izoluara të këtyre krimeve.

“Dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve. Ato janë simptoma të patriarkalizmit i cili vazhdon ta qeverisë familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë. Ato janë pasojat e një dhune strukturore patriarkale që vazhdon t’i shtypë gratë e të prodhojë dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqëror dhe politik”, thuhet në njoftimin e tyre.

Më tej, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkon që dhuna ndaj gravev të trajtohet si urgjencë kombëtare.

“Familja, shoqëria e shteti janë të tri hallkat në të cilat kërkojmë ndryshime rrënjësore dhe zhbërje të patriarkatit që po i dhunon e vret gratë. Ne kthehemi drejt tyre sepse e dijmë se ky sistem vrasës nuk është jashtë nesh. Andaj, këtë të marte, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, kanë përfunduar njoftimin e tyre.