Nuk miratohet shmangia e afateve procedurale për buxhetin 2026, opozita kundër

Kuvendi nuk ka miratuar shmangien e afateve procedurale për buxhetin e vitit 2026, pas një votimi të ndarë mes deputetëve.

Në total, 58 deputetë votuan pro, 48 kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Propozimi u kundërshtua nga partitë opozitare, të cilat shprehën rezerva për mënyrën e procedimit të buxhetit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kritikoi ashpër këtë rishikim teksa u shpreh se kjo qasje e pushtetit është abuzim me paranë publike.

“Kush ka punu me financat publike e ka të qartë që kjo qasje e rishikimit të buxhetit është abuzuese me paranë publike dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin për menaxhimin e financave publike. Ajo që më shqetëson, mungesa e etikës që del në foltore dhe thotë që është në përputhje me ligjin”, tha Hoti.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë shmangien e procedurave për shqyrtimin e Projektligjit.

Ai kritikoi qasjen e Qeverisë, gjersa theksoi se veprimet e ekzekutivit po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve.

“…Edhe kjo është më se e qartë qysh prej fillimit tregohet që të gjitha veprimet Qeveria është duke i ndërmarr që vendin ta çojë në zgjedhje. Nuk ka pas asnjë veprim serioz që vendin me i dhënë stabilitet institucional e politik. Nuk ka rishikim të buxhetit për komunat. Që 26 vjet pas luftës diçka të tillë s’kam pa, as mos pafsha… Kjo është ta blejmë votën e qytetarëve… PDK nuk e mbështet”, tha Hamza.

Të fundit nga rubrika