As në tentimin e gjashtë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk arritën ta konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Edhe vazhdimi i kësaj seance, nisi me pikën e tretë të rendit të ditës, ku partia e parë e propozoi kryeparlamentarin dhe për këtë kryesuesi i seancës kërkoi mirëkuptimin e të gjithë deputetëve.

“Mua nuk më takon ta imponoj votimin por do të ishte mirë të ketë mirëkuptim që ta zhbllokojmë këtë situatë sepse vërtetë qytetarët po presin që të krijohen institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Avni Dehari – Kryesues i seancës.

Për herën e katërt, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun.

“Emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju kërkoj mirëkuptimin tuaj t’i kontribuoni zhbllokimit të kësaj situate në të cilën kemi mbetur në mënyrë që të kalojmë në faza tjera të zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Glauk Konjufca – Deputet i LVV-së.

Por, as në tentativën e katërt, Haxhiu nuk mori votat e mjaftueshme për tu zgjedhur kryetare e Kuvendit.

“Sërish e kemi rezultatin për 57 vota, 47 janë kundër, kemi edhe tre abstenime, në bazë të kësaj kandidatja nuk votohet dhe detyrohemi ta ndërpresim seancën. 27 prill, sërish në orën 10:00 shihemi përsëri”, ka thënë Avni Dehari – Kryesues i seancës.

Në këtë seancë deputeti Agim Bahtiri, vendosi t’i dërgoi një dhuratë deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri çka shkaktoi të qeshura në sallë.

Lëvizja Vetëvendosje është duke insistuar për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit, ani se partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin këtë propozim, i cili secilën herë ka marr katër vota më pak se që duhet, 57 të tilla.

Zgjedhjet në Kosovë u mbajtën me 9 shkurt ose afër tre muaj më parë por asnjëra parti nuk arriti e vetme të fitojë shumicën derisa ende vendi është pa institucione funksionale.

https://www.youtube.com/@DukagjiniRTV/videos