“Kurti pranon marrëveshje ‘take it or leave it’. Kështu pranojnë veç njerëzit e shantazhuar…Kurti është i shantazhuar nga dëshira për të mos lënë pushtetin”.

Kështu ka deklaruar Nol Nushi nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD).

I ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Nushi ka thënë se është paradoksale se si kryekundërshtuesi i Asociacionit e pezulloi formimin e saj për 10 vjet e i njëjti tashmë ka përsipër vendimin.

“Unë konsideroj që opozita e atëhershme me atë kundërshtim e ka pezulluar Asociacionin për 10 vjet dhe paradoksi është që kryekundërshtuesi i saj me u bë kryeministër me 51 përqind të votave…”, ka deklaruar ai.

Si shumë të tjerë, Nushi kujton deklaratat e dikurshme të kreut të ekzekutivit.

“Thoshte zoti Kurti se tjerët e kanë nënshkruar se kanë qenë të shantazhuar. Për shkak të korrupsionit e për shkak të Gjykatës Speciale. Ky për çka është i shantazhuar?. Cili është ai shantazh që po bëka Kurtin ta pranojë Asociacionin e ky s’po dashka? Çfarë shantazhi është?”, ka thënë ai.

Ndonëse marrëveshjet për Asocacionin u arritën në vitet 2013 dhe 2015, ishte Gjykata Kushtetuese, ajo e cila tha se marrëveshja e fundit nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia vazhdon të insistojë në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një Asociacionin njëetnik, i cili, sipas saj, do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 27 shkurt në Bruksel, me ç’rast, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet, dhe si rrjedhojë, janë diskutimet për Asociacionin, ato që duhet të nisin menjëherë.