Është Nol Nushi nga radhët e partisë Socialdemokrate (PSD), i cili thotë se plani franko-gjerman dhe dokumenti mbi të cilën u pajtuan pala kosovare dhe ajo serbe në Bruksel, paraqet një normalizim të mosnjohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

I ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Nushi thotë se “jemi bërë si banesat” pa pranim teknik, si rrjedhojë e të cilit, sipas tij, Kosova do të mbetet një gjysëm shtet.

“Ky është një dokument i cili praktikisht është një normalizim i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Mosnjohja nga Serbia na ka shkaktuar problem në disa rrafshe. Jemi sikurse ato banesat pa pranim teknik. Ti mundesh të banosh, por s’mund ta shesësh, ta vësh në hipotekë. Je duke banuar në një objekt që nuk e zotëron përfundimisht…Një formë e tillë e përfundimit të shtetit të Kosovës do të mbetë një shtet gjysëm shtet i panjohur nga gjysma e shteteve të botës, me problem të funksionimit në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar ai, gjersa ka theksuar se problemet brenda vendit do të ishin edhe më të mëdha.

Krahas kësaj, Nushi thotë se njohja në mes dy vendeve nuk është diskutuar fare, e njëherit, nuk ka qenë as diskutim.

“Dialogu i nisur në këtë formë si vazhdimësi e dialogut të Brukselit në kësolloj marrëveshjes, bien dhe dje është pranuar, ndonëse pa nënshkrim, është pranuar zyrtarisht nga të gjitha instancat e Qeverisë së Kosovës, edhe nga ndërmjetësit ndërkombëtarë që dje ka pasur dakordim mbi të ashtuquajturin ‘planin franko-gjerman’, i cili është një dokument i prodhuar nga dialogu dyvjeçar i Qeverisë Kurti, karshi dialogut të Brukselit. Problemi është aty që nuk ka njohje. Ka filluar ky dialog me aspiratat për njohje të ndjersjelltë. Sot njohja nuk diskutohet fare, bile ndërmjetësit po thonë se nuk ka qenë as qëllim i këtij dialogu, njohja. Kjo është problem në vetvete”, ka deklaruar ai.

Lidhur me këtë, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet, dhe si rrjedhojë, janë diskutimet për Asociacionin, ato që duhet të nisin menjëherë.

Në mes të tjerash, Escobar ka thënë se bëhet fjalë për një normalizim të plotë të mardhënieve në mes dy vende e jo një njohje reciproke.

“Propozimi evropian nuk është për njohjen reciproke, por për normalizim. Pse ne e mbështesim këtë propozim tani, nuk nënkupton se ne nuk besojmë në idenë që për të qenë një rajon i shëndetshëm dhe që të lirohet nga incidentet e viteve ’90, ne besojmë që të gjitha shtetet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën për të pasur raporte të plota dhe pozitave”, ka thënë Escobar.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 27 shkurt në Bruksel, me ç’rast, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.