Ekipet e shpëtimit në Filipine kanë nxjerrë 30 trupa nga një traget i djegur, duke e çuar në 35 numrin e viktimave nga zjarri që përfshiu anijen të mërkurën mbrëma, njoftuan autoritetet të premten.
Zjarrfikësit arritën të futeshin për herë të parë në traget pasi shuan zjarrin, i cili për dy ditë kishte penguar operacionet e kërkim-shpëtimit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Pamjet e publikuara nga Roja Bregdetare tregojnë pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit, të veshur me kostume mbrojtëse, duke transportuar qese të zeza me trupa nga një varkë e vogël drejt një anijeje të Rojës Bregdetare.
Më herët, tymi i dendur dhe temperaturat e larta kishin penguar ekipet të hynin në traget, i cili në momentin e zjarrit transportonte më shumë se 130 persona.
Autoritetet kishin raportuar 84 persona të zhdukur para se të nxirreshin 30 trupat të premten. Ndërkohë, numri i personave të shpëtuar ishte 43 deri të premten në mëngjes. Nuk është bërë ende e qartë se sa persona vazhdojnë të jenë të pagjetur.
Familjarët e personave të zhdukur kanë pritur lajme për të afërmit e tyre, ndërsa disa kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e informacionit.
Pamjet nga brenda tragetit tregojnë dëmet e mëdha të shkaktuara nga zjarri. Rreshtat e shtretërve të kabinave janë shndërruar në mbetje metalike dhe hi, ndërsa në një pjesë të dëmtuar rëndë shihen edhe mbetje që duken si skelete njerëzore.
Një nga të mbijetuarit, Richard Marceliano, tha për GMA News se fillimisht kishte parë një sasi të vogël tymi, e cila brenda pak sekondash u shndërrua në zjarr të fuqishëm dhe u përhap në të gjithë tragetin.
Ai tha se së bashku me pasagjerë të tjerë kishte qëndruar për gati dy orë në det para se të shpëtohej.
Zjarri është aksidenti i fundit në një seri incidentesh të rënda detare në Filipine, një arkipelag me më shumë se 7,600 ishuj, ku miliona njerëz varen nga tragetet dhe varkat e vogla për të udhëtuar mes provincave dhe ishujve.
Në janar, më shumë se 60 persona humbën jetën pasi një anije pasagjerësh me mbi 300 persona në bord u fundos gjatë udhëtimit drejt provincës jugore Sulu.
Pesë të vdekur dhe mbi 80 të zhdukur pas zjarrit në tragetin në Filipine