“Ose do të vendosim ndonjë formë sanksionesh ndaj Rusisë, ose pjesa tjetër e botës do të vendosë sanksione. Nuk është çështja nëse duam ne, por nëse në këtë moment vendi dhe ekonomia jonë është më e rëndësishme për ne, apo e Rusisë”, kështu ka vlerësuar Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Obradoviq.

Sipas Obradoviq-it, lëvizjet e fundit të Bashkimit Evropian janë “përgatitja e terrenit për vendosjen e sanksioneve” ndaj Serbisë.

“Unë nuk mendoj se do të ndodhë shpejt, nuk mendoj se do të ndodhë në mënyrë radikale, por ka një përgatitje të terrenit”, ka shtuar ai.

Me tej, ai ka deklaruar se është i bezdisur nga zgjidhjet që dëgjohen në opinion, si në konkursin e “Miss World”, ku thuhet se Serbia duhet të qëndrojë larg dhe të jetë neutrale.

Ndër të tjera, ai ka thënë se “kjo nuk është e mundur, vetëm nëse do të kishin mundësi që të zhvendosnin Serbinë në një tjetër planet ndërkohë që gjërat do të ishin zgjidhur në tokë”, raporton medium N1, transmeton Portali Dukagjini.