OBSH shpall emergjencë ndërkombëtare shpërthimin e Ebola-s në Kongo dhe Ugandë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin e Ebola-s në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë si emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar, pas raportimeve për 80 vdekje të dyshuara dhe nëntë raste të konfirmuara laboratorikisht.

OBSH-ja njoftoi se shpërthimi, i shkaktuar nga virusi Bundibugyo, nuk i plotëson kriteret për t’u shpallur pandemi globale, por paralajmëroi se shtetet që ndajnë kufi tokësor me Kongon janë në rrezik të lartë për përhapje të mëtejshme.

Sipas agjencisë së OKB-së për shëndetësi, deri të shtunën janë raportuar 80 vdekje të dyshuara, tetë raste të konfirmuara dhe 246 raste të dyshuara në provincën Ituri të Kongos, në të paktën tri zona shëndetësore, përfshirë Bunia, Rwampara dhe Mongbwalu.

Një rast i nëntë është konfirmuar në qytetin lindor Goma, sipas një deklarate të rebelëve të M23.

OBSH-ja tha se përhapja ndërkombëtare tashmë është dokumentuar. Në Kampala të Ugandës janë konfirmuar dy raste, përfshirë një viktimë, te persona që kishin udhëtuar nga Kongoja. Një tjetër rast është raportuar edhe në kryeqytetin kongolez, Kinshasa, te një person që ishte kthyer nga Ituri.

Sipas OBSH-së, ky është shpërthimi i 17-të i Ebola-s në Kongo, vendi ku virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1976. Organizata paralajmëroi se situata mund të jetë shumë më e rëndë sesa raportimet aktuale, për shkak të numrit në rritje të rasteve të dyshuara dhe shkallës së lartë të pozitivitetit në mostrat fillestare.

OBSH e cilësoi shpërthimin si “të jashtëzakonshëm”, pasi për virusin Bundibugyo nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara specifike, ndryshe nga lloji Ebola-Zaire që ka shkaktuar shumicën e shpërthimeve të mëparshme, raporton Reuters.

Agjencia u bëri thirrje vendeve të aktivizojnë mekanizmat kombëtarë të emergjencës, të shtojnë kontrollet kufitare dhe monitorimin në rrugët kryesore. Po ashtu rekomandoi izolimin e menjëhershëm të rasteve të konfirmuara dhe monitorimin e kontakteve për 21 ditë.

Megjithatë, OBSH kërkoi që vendet të mos mbyllin kufijtë dhe të mos kufizojnë tregtinë apo udhëtimet, duke paralajmëruar se kjo mund të nxisë kalime ilegale kufitare pa kontroll shëndetësor.

Virusi Ebola, që shkakton temperaturë të lartë, dhimbje trupi, të vjella dhe diarre, përhapet përmes kontaktit direkt me lëngjet trupore të personave të infektuar ose materialeve të kontaminuara.

Shija e redaktorit

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Të fundit nga rubrika