Rajoni europian i Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë përparim të dukshëm në vaksinimin kundër gripit gjatë 15 viteve të fundit, por një studim i ri tregon se ky progres nuk është i barabartë mes vendeve.
Sipas analizës së publikuar në The Lancet Regional Health – Europe, numri i dozave të vaksinës është dyfishuar që nga sezoni 2008–2009 dhe deri në vitin 2021–2022 të gjitha shtetet kanë vendosur programe kombëtare vaksinimi.
Megjithatë, dallimet mbeten të theksuara. Në sezonin 2022–2023, vendet me të ardhura të larta shpërndanë mesatarisht rreth 140 doza për 1000 banorë, ndërsa vendet me të ardhura më të ulëta vetëm 14.6. Edhe mbulimi i të moshuarve — grupi që përbën rreth 70% të vdekjeve nga gripi — ishte shumë më i lartë në vendet e pasura (55%) krahasuar me vetëm 5% në vendet më pak të zhvilluara.
Në nivel global, gripi sezonal shkakton deri në 650 mijë vdekje çdo vit dhe rreth 5 milionë raste të rënda. Objektivi për vaksinimin e 75% të të moshuarve, i vendosur që në vitin 2003, është arritur vetëm nga Bjellorusia, Danimarka, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në Shqipëria, ekspertët e shëndetit publik theksojnë nevojën për rritjen e vaksinimit, sidomos tek të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Gjatë vitit 2025 u ofruan rreth 280 mijë doza vaksine falas, të cilat pothuajse u përdorën plotësisht nga grupet më të rrezikuara.
Raporti thekson se sfidat kryesore mbeten qasja në vaksina, ndërgjegjësimi dhe besimi i publikut, ndërsa kërkohet më shumë angazhim për të mbrojtur grupet më vulnerabël.