OCTOPUS: Më 24 Mars 1999 bota i tha STOP Millosheviqit dhe ndali spastrimin etnik në Kosovë
Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” ka rikujtuar përmes një reagimi publik rëndësinë historike të 24 marsit 1999, duke e cilësuar ndërhyrjen e NATO si një moment kyç për ndaljen e spastrimit etnik në Kosovë dhe një përgjigje të domosdoshme ndaj dështimit të diplomacisë ndërkombëtare përballë regjimit të Slobodan Milošević. Sipas këtij instituti, ndërhyrja […]
Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” ka rikujtuar përmes një reagimi publik rëndësinë historike të 24 marsit 1999, duke e cilësuar ndërhyrjen e NATO si një moment kyç për ndaljen e spastrimit etnik në Kosovë dhe një përgjigje të domosdoshme ndaj dështimit të diplomacisë ndërkombëtare përballë regjimit të Slobodan Milošević.
Sipas këtij instituti, ndërhyrja nuk ishte një zgjedhje për luftë, por një reagim ndaj një realiteti të dokumentuar gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare, ku gjatë vitit 1998 u shënuan djegie fshatrash, dëbime masive dhe masakra të vazhdueshme ndaj civilëve shqiptarë.
Në reagim theksohet se vendimi për ndërhyrje erdhi pas një konsensusi të vështirë ndërkombëtar, ku mbrojtja e jetës njerëzore u vendos mbi konceptin e sovranitetit, i cili po përdorej si mbulesë për dhunë sistematike. Instituti nënvizon se objektivi i ndërhyrjes nuk ishte ndëshkimi i një populli, por ndalimi i një politike shtetërore represive.
“OCTOPUS” rikujton edhe pasojat e luftës, duke përmendur mbi 900 mijë shqiptarë të dëbuar, rreth 13 mijë të vrarë, afro 20 mijë gra të dhunuara dhe qindra vendbanime të shkatërruara.
Në reagim vihet theksi edhe te beteja aktuale e narrativës, ku sipas institutit, në Serbi ndërhyrja vazhdon të paraqitet si “agresion i NATO-s”, ndërsa krimet e kryera para bombardimeve relativizohen ose mohohen, përfshirë edhe masakrën e Reçakut.
Instituti thekson se ndërhyrja e NATO-s ndodhi për të ndalur një proces të qartë dhune që po zhvillohej para syve të botës dhe se përvjetorët duhet të shërbejnë jo vetëm për kujtesë historike, por edhe për të kuptuar arsyet e asaj që ndodhi.
“Kur e kaluara shtrembërohet, ajo kthehet në problem të së ardhmes”, përfundon reagimi i Institutit OCTOPUS.















