Oda Amerikane e shqetësuar me marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatët e saj

Oda Ekonomike Amerikane

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me iniciativat e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, për të cilat thonë se nuk janë koordinuar me aleatët dhe partnerët strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Veprimet e tilla kanë ngritur shqetësime te shtetet që e kanë mbështetur me vendosmëri Kosovën përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt shpalljes së pavarësisë dhe në procesin e vazhdueshëm të shtetndërtimit,” thuhet nga Oda Amerikanë.

Nga OA kanë shprehur shqetësimin nga deklaratat e partnerëve kryesorë të Kosovës.

“Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar me deklaratat e partnerëve kryesorë të Kosovës në lidhje me zbehjen e entuziazmit për mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Dështimi i fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një shembull i qartë i rënies së mbështetjes.”

Tutje thuhet se suksesi i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me marrëdhëniet e forta që ajo ka kultivuar me aleatët e saj.

Sipas tyre, këto partneritete jo vetëm që kanë forcuar pozitën politike të Kosovës, por gjithashtu “kanë qenë jetike në nxitjen e rritjes ekonomike. Kur Kosova vepron në përputhje me pritjet dhe udhëzimet e partnerëve të saj strategjikë, ajo dërgon një sinjal të fuqishëm të stabilitetit, besueshmërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta, cilësi këto thelbësore për tërheqjen dhe ruajtjen e investitorëve.”

Ata janë shprehur se këto vendime “të pakoordinuara”, rrezikojnë që ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe të dobësojnë pozitën e saj në negociatat e rëndësishme.

“Veprimet e pakoordinuara, veçanërisht ato që janë në kundërshtim me këshillat e aleatëve kryesorë, rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe të dobësojnë pozitën e saj në negociatat e rëndësishme. Ato gjithashtu mund të krijojnë një mjedis pasigurie që mund të dekurajojë investitorët potencialë, të cilët kërkojnë garanci se klima politike dhe ekonomike është e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme në përparimin e Kosovës dhe çdo cenim i kësaj mbështetjeje mund të ketë pasoja me shtrirje të gjerë, si për ambiciet diplomatike ashtu edhe për ato ekonomike të vendit.”

“Gjithashtu, Oda Amerikane është thellësisht e shqetësuar me diskursin e promovuar nga Qeveria, i cili po i kontribuon sentimenteve jomiqësore ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës. Një retorikë e tillë është e rrezikshme dhe mund të minojë ndjenjat e forta proamerikane dhe properëndimore që janë pasqyruar vazhdimisht në sondazhet e organizatave të njohura, duke përfshirë edhe atë të kryer së fundmi nga Instituti Republikan Ndërkombëtar. Çdo përkeqësim në këtë aspekt mund të ketë implikime serioze për të ardhmen e Kosovës, ndërsa qeveria aktuale duhet të jetë e vetëdijshme se do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo gërryerje të këtij besimi dhe mbështetjeje në mesin e popullatës.”

Nga Oda Amerikane janë shprehur se besojnë fuqishëm se Qeveria e Kosovës duhet t’i japë përparësi qasjes bashkëpunuese, duke shfrytëzuar fuqinë e aleancave të saj.

“Duke ruajtur kursin historik, i cili u ndërtua mbi bazën e besimit, dialogut dhe respektit të ndërsjellë me aleatët e saj, Kosova mund të vazhdojë të avancojë integrimin e saj euroatlantik, të përmirësojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të krijojë një klimë më të favorshme biznesi dhe investimi.”

Oda Ekonomike Amerikane i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në dialog të hapur dhe të sinqertë me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke siguruar që të gjitha nismat e rëndësishme koordinohen me kujdes, me qëllim të mbrojtjes së interesave afatgjata të shtetit dhe ruajtjes së marrëdhënieve të forta të krijuara ndër vite.

Shija e redaktorit

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Të fundit nga rubrika