Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e marzhave maksimale për produktet e naftës.
Sipas OEK, vendimi ndërhyn në tregun e lirë dhe cenon konkurrencën e drejtë.
“Vendosja e kufijve të çmimeve për karburantet nuk është në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe rrezikon të çrregullojë funksionimin normal të tregut, duke kufizuar lirinë e operatorëve ekonomikë”, thuhet nga OEK.
OEK thekson se çmimet e karburanteve varen nga faktorë ndërkombëtarë dhe lokalë, si luhatjet globale, kostot e transportit dhe zinxhirët e furnizimit, dhe se masa administrative si kjo mund të dëmtojë furnizimin dhe konkurrencën.
Oda i bën thirrje Ministrisë që të rishqyrtojë vendimin dhe të gjejë mekanizma alternative për mbrojtjen e konsumatorëve, pa ndërhyrë drejtpërdrejt në çmime.