Kreu i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, Filippo Grandi ka akuzuar Moskën për shkeljen e parimeve “themelore” të mbrojtjes së fëmijëve duke u dhënë pasaporta ruse.

Grandi ka shtuar se Rusia atëherë i kishte vënë këta fëmijë për birësim nga familjet ruse.

Ai tha se UNHCR-ja do të përpiqet të ketë akses te të prekurit dhe të përpiqet të gjejë zgjidhje në interesin e tyre më të mirë. Ai ka pranuar se nuk e dinte se sa fëmijë ishin prekur.

“Në situatën e luftës, ju nuk mund të përcaktoni nëse fëmijët kanë familje apo kujdestari. Prandaj, derisa kjo të sqarohet, nuk mund t’u jepni atyre një kombësi tjetër ose t’i birësoni nga një familje tjetër,” tha Grandi.

Sipas të dhënave më të fundit të UNHCR-së, rreth tre milionë refugjatë nga Ukraina janë regjistruar dhe është e paqartë se sa prej tyre janë fëmijë.

Një këshilltar presidencial ukrainas ka potencuar në fillim të këtij muaji se pothuajse 14 mijë fëmijë ishin “deportuar” në Rusi nga pjesët e pushtuara të Ukrainës dhe e akuzoi atë për rrëmbimin e tyre, derisa Kremlini i ka mohuar akuzat.

Grandi ka thënë se UNHCR-ja po kërkon akses në Rusi “gjatë gjithë kohës”, por se deri më tani kjo ka qenë “e rrallë, sporadike dhe jo e papenguar”.

Kreu i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara ka folur në fund për një vizitë gjashtëditore në Ukrainë dhe u tha banorëve vendas se “e gjithë bota ju admiron sepse jeni njerëz të fortë”.

Ai ka shtuar se ishte e mundur që më shumë refugjatë të kthehen në Ukrainë gjatë verës, siç ndodhi vitin e kaluar, por paralajmëroi se më shumë luftime mund të çojnë në zhvendosje më të mëdha, veçanërisht brenda vendit, raporton BBC.