Zyra e komisionarit të lartë për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara ka njoftuar se 9 mijë e 83 civilë ukrainas janë vrarë që nga nisja e pushtimit të paprovokuar rus në shkurtin e kaluar deri më 18 qershor të këtij viti.

Sipas të dhënave të OKB-së, 15 mijë e 779 civilë janë plagosur.

Vetëm në qershor, 112 civilë u konfirmuan se janë vrarë dhe 445 të tjerë të plagosur, ka thënë OKB-ja përmes një deklarate.

Po ashtu, OKB-ja ka paralajmëruar se numri i vërtetë i viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë për shkak se ka vonesa në pranimin e informacioneve nga disa vende ku luftimet e ashpra po vazhdojnë, duke shtuar se disa raporte ende duhet të konfirmohen.

“Kjo ndodh, për shembull, në Mariupol [rajoni i Donetskut], Lysychans’k, Popasna dhe Severodonetsk [rajoni i Luhanskut], ku ka supozime se ka një raste të vrasjeve të civilëve”, ka thënë OKB-ja.

Shumica e viktimave ishin vrarë nga zjarri i artilerisë së rëndë, por edhe nga raketat dhe sulmet ajrore, sipas njoftimit nga OKB-ja, raporton REL.

Më 19 prill, Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës ka bërë të ditur se kishte regjistruar afër 80 mijë krime potenciale të luftës, të kryera nga ushtria ruse që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022.

Ukraina insiston në krijimin e një tribunali ndërkombëtar për krimin e agresionit të Rusisë.