Nën monitorimin e Prokurorisë Speciale dhe me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës po zhvillon një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar në disa lokacione në vend.
Sipas njoftimit, operacioni lidhet me dyshime për trafikim ndërkombëtar të substancave narkotike dhe përfshin veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe “pastrimi i parave”.
Në operacion po marrin pjesë edhe përfaqësues të EUROPOL-it, si dhe autoritete nga Belgjika, Franca dhe Holanda.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se pas përfundimit të aksionit policor do të dalin me një komunikatë të përbashkët për të njoftuar publikun për rezultatet e operacionit.