Operacioni antidrogë në Prishtinë: Arrestohen tre të dyshuar për trafikim me kokainë, një tjetër në arrati
Policia e Kosovës ka finalizuar një operacion antidrogë në Prishtinë, duke arrestuar tre persona dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme të kokainës. Sipas njoftimit të policisë, hetuesit nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas një pune të gjatë operativo-hetimore dhe me miratimin e masave të veçanta të hetimit nga organet e drejtësisë, […]
Policia e Kosovës ka finalizuar një operacion antidrogë në Prishtinë, duke arrestuar tre persona dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme të kokainës.
Sipas njoftimit të policisë, hetuesit nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas një pune të gjatë operativo-hetimore dhe me miratimin e masave të veçanta të hetimit nga organet e drejtësisë, kanë ndërmarrë më 30 prill operacionin e koduar ‘Dritarja’.
Fillimisht, është arrestuar i dyshuari A.A. (1983), të cilit iu gjetën 0.44 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë.
Hetimet më pas kanë çuar në kontrollin e një shtëpie ku policia ka sekuestruar rreth 56.9 gramë kokainë, para cash (në euro dhe valuta tjera), si dhe dëshmi të tjera që do të shfrytëzohen në procedurën gjyqësore.
Në një kontroll të dytë, policia ka gjetur edhe 10.8 gramë kokainë, dy peshore elektronike dhe nëntë fishekë.
Përveç A.A., policia ka arrestuar edhe K.A. (2000) dhe S.S. (1971), ndërkohë që një i dyshuar tjetër ndodhet në arrati.
Pas intervistimit, dy nga të arrestuarit, K.A. dhe S.S., janë dërguar në mbajtje me aktvendim të prokurorit.
Policia bën të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe janë në kërkim të të dyshuarit të katërt.















