Pas një hetimi disa mujor, të martën është realizuar me sukses operacioni i madh anti-drogë i koduar “Qielli i Thyer”, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Policia e Kosovës, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë operacion të përmasave të gjera, i zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, janë angazhuar rreth 600 zyrtarë policorë të cilët kanë bastisur 47 lokacione dhe kanë arrestuar 22 persona të dyshuar për përfshirje në vepra të rënda penale si “krim i organizuar”, trafikim të narkotikëve dhe pastrim parash. Dyshohet se aktivitetet kriminale janë zhvilluar përmes përdorimit të aplikacionit të koduar “SkyECC”.

Gjatë bastisjeve, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të provave materiale, përfshirë: lëndë narkotike, 29 vetura, 500,000 euro para të gatshme, 20,040 franga zvicerane, 490 dollarë amerikanë, 13,000 euro të falsifikuara, 9 orë dore të markave luksoze, 36 armë të ndryshme, 1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme.

Gjithashtu, janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, ndërsa është vendosur ndalim për të gjitha pronat e paluajtshme të të dyshuarve.

Operacioni është zhvilluar me mbështetjen e autoriteteve belge, holandeze dhe Europol-it, dhe është drejtuar nga një prokuror i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë bastisjeve.

https://www.dukagjini.com/kategoria/lajme/kosova