Opozita kërkon informata nga MAShT-i se si shkoi procesi i subvencionimit të teksteve shkollore

Në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, opozita ka listuar disa pyetje për Ministrinë e Arsimit se si shkoi procesi i subvencionimit të teksteve shkollore për vitin e kaluar.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka drejtuar disa pyetje në komision, duke thënë se duhet të ketë lista të prindërve që të shihet se cilët fëmijë janë subvencionuar.

Po ashtu, Haxhiu ka kërkuar që të ketë lista se si ka shkuar procesi që të shikohet se a ka pasur vonesë në furnizim me tekste shkollore.

“Të shohim a ka pasur vonesë në furnizim me tekste shkollore. Të kemi listë të prindërve dhe nxënësve që janë subvencionuar për tekstet shkollore pasi të njëjtit kanë mundur të jenë jashtë vendit”, ka deklaruar Haxhiu.

Ngjashëm, edhe deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, ka thënë se paraprakisht të gjithë anëtarët e këtij komisioni duhet të kenë një listë se si ka shkuar ky proces.

“Ne duhet paraprakisht të kemi një listë të gjithë procesit, vendimi i qeverisë, informata e MASHT-it, lista e pagesave, shtëpitë botuese që të dalim me një përfundim së bashku. Të shohim sa i ka kushtuar ky eksperiment qeverisë, a janë kursyer mjete nga buxheti i Kosovës. Duhet të kemi informacion edhe nga drejtoritë komunale”, ka deklaruar Dumoshi.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka hedhur dyshime se ka pasur keqpërdorime të buxhetit nga Ministria e Arsimit në vitin e kaluar për tekstet shkollore.

Në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, Kastrati e ka quajtur hajni të MAShT-it keqpërdorimin e buxhetit për tekstet shkollore, teksa i ka drejtuar disa pyetje.

Ai ka pyetur se si është organizuar procesi i subvencionimit të teksteve shkollore në të gjitha fazat dhe se a kanë përfituar të gjithë nxënësit nga mjetet mësimore.

Në mesin e shumë pyetjeve, Kastrati tha se duhet të sigurohen proceset verbale dhe të shihet se pse kanë dështuar negociatat me shtëpitë botuese.

“Po e quaj hajni në MASHT, po i drejtoj disa pyetje MASHT-it, pse ka dështuar negociatat në shtëpitë botuese, duhet të sigurohen proceset verbale, si është organizuar procesi i subvencionimit në të gjitha fazat. A kanë përfituar të gjithë nxënësit nga mjetet mësimore?Cilat kanë qenë ofertat e shtëpisë botuese”, ka pyetur Kastrati.

Ai ka thënë se këto pyetje duhet t’u dërgohen edhe Drejtorive Komunale të Arsimit.

Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, ka arritur të konstituohet më 26 prill.

Pse u formua ky komision?

Ky komision ka për qëllim të evidentojë se a ka pasur lëshime në subvencionimin e teksteve shkollore apo jo, gjatë viti shkollor 23/24.

Kështu, më 4 prill, pas më shumë se tri orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.

Themelimi i këtij komisioni ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Para se të votohej themelimi i këtij komisioni, deputetët opozitarë dhe ata të partisë në pushtet zhvilluan debat të ashpër lidhur me ketë çështje.

Subvencionimi

Procesi i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta në shtator të vitit 2023.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vetë t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumën prej 80 eurosh për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar nga subvencionimi, prindërit është dashur të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika