Opozita me kritika pas raportit të ZKA-së për Fondin për Sigurime Shëndetësore

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se është duke punuar në reflektimin e gjetjeve të raportit nga Zyra e Auditimit për Fondin për Sigurime Shëndetësore, opozita ka hedhur kritika duke thënë se janë dhënë sugjerime edhe më herët nga ana e tyre, por nuk janë marrë parasysh

Ministria e Shëndetësisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të martën e 29 gushtit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore” për periudhën 2019-2022.

Në këtë raport thuhet se Fondi për Sigurime Shëndetësore (FSSH), së bashku me Bordin Ekzekutiv, “nuk ishin efektiv” në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Rezultatet e auditimit tregojnë se “pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë” që nga procesi i aplikimit e deri te aprovimi i kërkesave.

“FSSH-ja përdori praktika të ndryshme në vlerësimin dhe trajtimin e lëndëve, që nga aplikimi i kritereve të ndryshme për rastet e njëjta, e deri te shuma e aprovuar për trajtim. Aprovimi i lëndëve dhe pagesave është përcjellë me vonesa, obligimet financiare nuk ishin menaxhuar dhe raportuar në mënyrë të duhur, si dhe Fondi nuk kishte bërë të gjitha barazimet financiare me institucionet shëndetësore në të cilat janë parapaguar shërbimet”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me këtë raport, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Portalin Dukagjini kanë thënë se të gjitha gjetjet që në të kaluarën kanë qenë pjesë e këtij raporti, do të reflektohen, dhe për të njëjtat do të merren veprime në funksion të zbatimit të rekomandimeve.

“Në përputhje me Procedurat Standarde Operative, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe raportet në përgjithësi, pasi të jenë finalizuar, është obligative që të hartohet një plan i veprimit, i cili synon zbatimin e këtyre rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit. Të gjitha të gjeturat që në të kaluarën kanë qenë pjesë e këtij raporti, do të reflektohen dhe për të njëjtat dot të merren veprime në funksion të zbatimit të rekomandimeve”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Tutje, MSh-ja ka bërë të ditur se është finalizuar edhe Udhëzimi Administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, në të cilin janë reflektuar problematikat në zbatim të kësaj politike dhe pritet të aprovohet nga ministri i Shëndetësisë.

Por, opozita nuk ka të njëjtin qëndrim.

Deputeti Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se raporti i ZKA-së vetëm ka afirmuar atë që opozita e ka thënë ndër vite.

Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së

Haxhiu ka thënë se për një periudhë të gjatë, lëndët në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore kanë qenë të bllokuara, për shkak se bordi ekzekutiv ka qenë “jofunksional”, teksa ka theksuar se ka pasur trajtim të pabarabartë të pacientëve.

Ai ka thënë tutje se ndonëse sugjerimet e opozitës janë dhënë me kohë, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka marrë parasysh, duke kërkuar hetim të këtyre problemeve edhe nga institucionet e drejtësisë.

“Lëndët kanë qenë të bllokuara, për shkak se bordi ka qenë jofunksional, pastaj trajtimi i pabarabartë i pacientëve, disave u janë pranuar kompensimet edhe pse nuk ka qenë për ato diagnoza, problemet që janë prezantuar në raport të auditorit i kemi ngritur me kohë, ka elemente të veprës penale, MSh nuk është marrë me këtë problematikë, institucionet e drejtësisë duhet të merren me këtë punë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas tij, edhe ky mandat qeverisës do të shkojë pa sigurime shëndetësore.

“Unë jam i brengosur se nuk ka asnjë hap përpara drejt sigurimeve shëndetësore, sepse ato do të zgjedhin brengat e pacientëve. Në një kohë vetëm rastet emergjente janë trajtuar, bordi ka qenë jofunksional, nuk u miratuan kërkesat, ka pasë dorëheqje të vazhdueshme, ka prodhuar një situatë ku janë grumbulluar lëndët, disave u janë aprovuar kërkesat me një fakturë, dikujt fare, janë paguar çmime të ndryshme, këto kanë lënë hapësirë që të ketë probleme që tejkalojnë ato menaxheriale që janë evidentuar edhe në raport”, ka vijuar Haxhiu.

Edhe ish-ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e ka quajtur dështim të Ministrisë së Shëndetësisë këtë raport nga Zyra e Audimit.

Zemaj ka thënë se rezultatet e auditimit tregojnë se pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë, që nga procesi i aplikimit, e deri te aprovimi i kërkesave nga ana e Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë intervistës në emisionin FIVE

Sipas tij, qeveria dhe MSh-ja nuk e trajtuan punën dhe aktivitetet e Fondit për Sigurime Shëndetësore në mënyrë të duhur.

“Kjo qeveri që në vitin e parë e la Bordin e Fondit për Sigurime Shëndetësore krejt jofunksional. Në vitin e dytë e emëruan në krye të këtij bordi një zonjë, e cila kishte plot skandale. E tani nuk është e treta e vërteta, është e treta e pavërteta, sepse në vitin e tretë qeverisës të tyre, në krye të këtij bordi u emërua ministria Vitia. Kjo qasje fare nuk po ndryshon dhe nuk ndryshon, është dështim, e këtu pëson pacienti dhe sigurisht qytetari”, ka thënë Zemaj.

Portali Dukagjini ka drejtuar pyetje edhe te Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ndryshe, në raportin e publikuar nga Zyra e Auditimit thuhet se Bordi Ekzekutiv kishte aprovuar lëndë në mungesë të dy profaturave dhe nuk ishte konsistent në shumat që kishte ndarë për mbulim të trajtimit duke mos respektuar kriteret e Udhëzuesit Administrativ.

“Me aprovim të Bordit, Fondi pagoi 756,142 euro për raste diagnozat e të cilëve nuk janë paraparë në Udhëzues Administrativ. Mirëpo, disa raste u refuzuan pikërisht me arsyetimin se diagnozat nuk janë pjesë e Udhëzuesit. Pavarësisht se Programi është i destinuar të financojë trajtimin e pacientëve me diagnoza, sëmundjet e të cilave nuk trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike të Kosovës, Komisionet Konziliare në reparte të caktuara kishin referuar kërkesa për shërbimet që ofrohen brenda këtyre institucioneve me arsyetimet për mungesë të materialit, kushteve teknike dhe resurseve njerëzore. Për këto raste shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuara ishte 844,779 euro”.

Tutje, thuhet se fondi nuk menaxhoi dhe nuk raportoi në mënyrë të duhur obligimet, kishte vonesa në aprovim dhe pagesa, madje kishte fatura që nuk janë paguar që nga 2018.

“Fondi nuk ka pasqyrë të saktë të kostove reale dhe mjeteve të lira të mundshme, barazimet janë bërë vetëm me spitalet në Kosovë dhe disa në rajon, por jo edhe me spitalet e tjera. Nga 12 milionë euro të aprovuara për rastet e rregullta, komisioni kishte arritur të barazojë vetëm 2,1 milionë apo 16,4% si dhe kishte identifikuar mbi 408 mijë euro mjete të lira”.

Ndër të tjera, thuhet se mangësitë e identifikuara në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike ishin pasojë e ndryshimeve të praktikave të menaxhimit të këtij programi, pa u arsyetuar nevoja për ndryshim, mosfunksionimi i duhur i kontrolleve të brendshme, ndryshimet e vazhdueshme organizative si dhe mosqartësimi i kornizës ligjore.

Lidhur me këtë auditim, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se trajtimi jo i barabartë i pacientëve, ndryshimet e paarsyetuara të kritereve dhe të shumave të aprovuara për trajtim, vonesat në aprovim dhe pagesë, si dhe mosmenaxhimi i duhur i obligimeve financiare, rrezikon që programi të mos arrijë objektivat për të cilat është themeluar.

Për të siguruar që Programi për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore menaxhohet në mënyrë më efektive dhe arrin objektivat, ZKA-ja dha 13 rekomandime.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore” e gjeni këtu.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika