“Ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë”.

Paralajmërimi që emisari amerikan Gabriel Escobar e bëri në Prishtinë po vlerësohet si kërcënim ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili refuzon të nisë diskutimet për themelimin e Asociacionit.

Këtë qëndrim, njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri e quan presion të një niveli tjetër, nga ai në takimet e mbyllura në atë publik.

Sipas Muhaxhirit, emisari Escobar kur ka përmendur partnerët alternativë ka nënkuptuar partitë opozitare.

“Politikisht këto ndryshime të mëdha politike bëhen vetëm me parti politike, gjë që është e logjikshme. Por, Z. Escobar ka qenë i kujdesshëm që të mos e përmend fjalën opozitë, por e ka lënë që të nënkuptohet. Pra, ideja është që ai mund të thotë se kam menduar edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile që mund t’i bëjnë presion kryeministrit Kurti apo kategorive të ndryshme shoqërore”, ka theksuar Artan Muhaxhiri, Analist politik.

Në krye të opozitës gjendet Partia Demokratike e Kosovës. Ky subjekt politik thotë se është më i angazhuari për të ruajtur partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari thotë se në të ardhmen PDK është e gatshme të jap kontributin e saj kurdo që i kërkohet.

“Nuk ka asnjë pikëpyetje që në çfarëdo rasti kur bëhet fjalë për të mirën e Kosovës PDK-ja është në ballë të parë aty për të shprehur dhe dëshmuar vullnetin për të ndihmuar sa të mundet dhe ku të mundet. Çështja thelbësore është që Z. Kurti është treguar fyes dhe ky problem dëmton marrëdhëniet tona me partnerët tanë për çështje të dialogut sepse i ka mashtruar”, ka thwnw Adri Nurellari, Anëtar i kryesisë së PDK-së.

PDK-ja, sipas Nurellarit, është në të njëjtën linjë me SHBA-në edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.“Për mendimin tim dhe mendimin e Partisë Demokratike, për sa kohë ai Asociacion është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk cenon rendin Kushtetues të Kosovës është i mirëpritur. Nëse ai Asociacion na mundëson përmbushjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që jep njëherë e mirë fund konfliktit me Serbinë edhe ajo gjë është e mirëpritur dhe PDK është e gatshme ta shtyjë përpara dhe ta votojë”, ka deklaruar  Adri Nurellari, Anëtar i kryesisë së PDK-së.

Qëndrimin për bashkëpunim e mundshëm në ndonjë nivel tjetër me SHBA-në nuk e kanë treguar LDK-ja dhe AAK-ja, pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të Dukagjinit.