Opozita në Gjeorgji i vazhdon protestat kundër rezultatit të zgjedhjeve

Mbështetësit e opozitës gjatë një proteste në Tbilisi të Gjeorgjisë më 28 tetor 2024, protestë e organizuar për të kundështuar rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 26 tetor.

Opozita në Gjeorgji ka protestuar të mërkurën për ditën e katërt me radhë kundër rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, të cilat partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, pretendon se i fitoi, pavarësisht dyshimeve për manipulim të madh.

Opozita, e cila nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, ka katër ditë radhazi që proteston në Tbilisi, pasi partia e miqësuar me Moskën, Ëndrra Gjeorgjiane, tha se i fitoi 54 për qind të votave.

As presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se ka pasur manipulime të mëdha dhe ndërhyrje nga Rusia.

Protesta në Tbilisi të mërkurën u mbajt pasi një gjykatë në qytetin qendror të Gorit, më 6 nëntor, e hodhi poshtë një kërkesë nga vëzhguesit e zgjedhjeve për anulimin e rezultateve në disa qendra votimi në qytet, ku u gjetën shkelje të fshehtësisë së votës gjatë zgjedhjeve parlamentare të 26 tetorit.

Një koalicion i organizatave vëzhguese, i njohur si Zëri Im, paraqiti një kërkesë në gjykatën e Gorit kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar anulimin e rezultateve në 14 qendra votimi të qytetit ku ishin dokumentuar shkelje.

Zëri Im ka thënë se vëzhguesit e tij nga 1.131 qendra votimi raportuan më shumë se 900 raste të shkeljeve të procedurave zgjedhore.

Por, gjyqtarja Nino Gogatishvili e hodhi poshtë kërkesën gjatë një seance që zgjati pesë orë, duke nxitur përfaqësuesit e Zërit Tim të deklarojnë se do të ankohen ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë, qindra njerëz u mblodhën pranë Gjykatës së Apelit, ku po dorëzohen ankesat ndaj vendimeve të gjykatave më të ulëta që kanë refuzuar kërkesat për anulimin e votave për shkak të manipulimit.

Udhëheqësit e opozitës nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancat e Gjykatës së Apelit, gjë që i nxiti ata të protestonin pranë ndërtesës.

Në Tetritskaro, gjyqtari Vladimir Kuchua vendosi në favor të ankesës së ngritur nga një grup qytetar, i quajtur Shoqata e Avokatëve të Rinj, duke e anuluar rezultatin në 30 qendra votimi, bazuar në provat e paraqitura nga grupi.

KQZ e sfidoi vendimin e tij, duke e cilësuar të pabazuara, dhe kjo e nxiti opozitën t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.

Kuchua është vlerësuar nga opozita si një gjyqtar i rrallë dhe i guximshëm që i kundërvihet Ëndrrës Gjeorgjiane, e cila është në pushtet që nga viti 2012.

Nika Melia, një nga liderët e Koalicionit për Ndryshim, ka thënë se demonstratat do të vazhdojnë në kërkim të zgjedhjeve të reja.

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika