“Ora e Pritjes” fillon numërimin mbrapa edhe në Gjilan

Nisma e platformës qytetare “Liria ka Emër” është shtrirë edhe në Gjilan, ku është aktivizuar “Ora e Pritjes”, duke nisur numërimin mbrapsht drejt 16 shtatorit, ditës kur pritet vendimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të platformës “Liria ka Emër”, figura politike, aktivistë dhe qytetarë. E pranishme ishte edhe Eliza Hoxha nga kjo platformë.

Me nisjen e numërimit, në Gjilan u shpalos edhe një baner i madh me mesazhin “Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes aktivitetit u përcoll mesazhi se pritja për 16 shtatorin lidhet me kërkesën për drejtësi, liri dhe kthimin në Kosovë të katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Ora e Pritjes” është pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen në qytete të ndryshme të Kosovës. Nisma kishte nisur më 22 gusht në Prishtinë, ndërsa më pas është shtrirë edhe në qytete të tjera.

Aktivitetet do të kulmojnë me Marshin për Liri, i paraparë të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen marshit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Të fundit nga rubrika