Ish-kryeministri hungarez Viktor Orban ka akuzuar qeverinë e re se po minon demokracinë në Hungari, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të angazhohen për, siç e quajti ai, “rivendosjen e rendit demokratik” në vend.
Në deklaratën e tij të parë të fortë politike që nga humbja në zgjedhjet e prillit, e publikuar në Facebook, Orban prezantoi një “Deklaratë Rezistence”. Reagimi i tij erdhi menjëherë pasi partia Fidesz njoftoi se prokurorët kishin kryer kontrolle në zyrat ku ndodheshin serverët e saj informatikë.
Nga ana tjetër, prokuroria sqaroi se bastisjet janë pjesë e një hetimi për dyshime mbi shpërdorimin e fondeve publike dhe vepra të tjera penale që lidhen me Fondin Kombëtar të Kulturës (NKA), gjatë periudhës kur vendi drejtohej nga qeveria e Orbanit.
Sipas ish-kryeministrit, Hungaria ka humbur karakterin e saj demokratik pas ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga qeveria e kryeministrit Peter Magyar, të cilat, sipas tij, i dhanë fund mandateve të presidentit dhe kreut të Gjykatës Kushtetuese.
Partia në pushtet, Tisza, i ka hedhur poshtë akuzat për autoritarizëm, duke theksuar se prioriteti i saj është lufta kundër korrupsionit, i cili sipas saj ishte i përhapur gjatë qeverisjes së Orbanit. Ajo ka deklaruar se synon ta afrojë sërish Hungarinë me standardet dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Gjatë 16 viteve në pushtet, Orban u përball vazhdimisht me kritika nga Bashkimi Evropian për dobësimin e sundimit të ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e të drejtave të pakicave.