Orban kundër federalizmit dhe “ofensivës LGBTQ” të BE-së

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka sulmuar Bashkimin Evropian për politikat e tij LGBTQ dhe kundërshton federalizmin e BE-së. Ai gjithashtu ka ndërhyrë në çështjet e sundimit të ligjit, mediave dhe gjyqësorit në vend

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të shtunën ka sulmuar Bashkimin Evropian për, siç ka thënë ai, ndërmarrjen e një “ofensive LGBTQ”, duke thënë se qeveria e tij nacionaliste do t’i mbrojë rrënjët e krishtera të vendit.

Në një fjalim në Rumani, Orban – kritik i moçëm i Brukselit – ka thënë, po ashtu, se shpreson se zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Evropian do t’i forcojnë brenda bllokut qeveritë që kundërshtojnë “federalizmin” e përfaqësuar nga Gjermania dhe Franca.

Në pushtet që nga viti 2010, Orban ka miratuar më 2021 një ligj që ndalon përdorimin e materialeve që konsiderohen si promovuese të homoseksualizmit dhe të ndryshimit të gjinisë në shkolla, duke përmendur nevojën për mbrojtjen e fëmijëve nga “propaganda LGBTQ” dhe duke shkallëzuar një mosmarrëveshje me BE-në.

Ai, po ashtu, është përplasur me Brukselin për disa çështje tjera, përfshirë sundimin e ligjit dhe reformat ndaj mediave dhe gjyqësorit në Hungari.

BE-ja është “ose perandori, ose shtete [individuale]… ne nuk duhet të kemi kurrfarë iluzionesh: federalistët po përpiqen të na shtrydhin”, ka thënë Orban, raporton Reuters.

“Ata haptas dëshironin një ndryshim në qeveri në Hungari [më 2022]”, ka pohuar Orban, duke shtuar se e njëjta gjë tani po ndodh me Varshavën.

Polonia këtë vjeshtë do të mbajë zgjedhje parlamentare, teksa partia konservatore Ligj dhe Drejtësi do të synojë një mandat të tretë. Ajo ka miratuar shumë politika që i ngjasojnë atyre të Orbanit, dhe që të dy vendet janë të përfshira në një mosmarrëveshje me bllokun për sundimin e ligjit, që ka çuar në pezullimin e fondeve të caktuara të BE-së.

Orban ka thënë se një ekuilibër mes federalistëve dhe kombeve që nuk duan t’i kalojnë më shumë kompetenca Brukselit është prishur kur Britania ka braktisur blokun, dhe tani vetëm Varshava dhe Budapesti po ruajnë “qëndrimin e tyre [antifederalist]”.

Ndërkohë, ai ka ashpërsuar retorikën e tij kundër komunitetit LGBT (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe trangjinorë), teksa problemet ekonomike të Hungarisë janë shtuar. Inflacioni vjetor ka kapërcyer 25 përqindëshin në çerekun e parë të vitit.

“BE-ja refuzon trashëgiminë e krishterë, bën zëvendësimin e popullatës së saj përmes emigracionit… dhe ndërmerr një ofensivë LGBTQ”, ka thënë ai më 22 korrik, raporton REL, përcjellë Dukagjini.com.

Shija e redaktorit

111 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

Sot 111 vjet më parë në Vlorë, përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të...

Presidentja Osmani udhëton për në Tiranë, merr pjesë në Samitin...

Presidentja e Kosovës, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin III...

“Revolta shqiptare ndaj osmanëve”, botimi i “The Spectator” më 1880...

Në një artikull të publikuar në revistën britanike, “The Spectator”, më 15 maj 1880, rrëfehet historia e një revolte shqiptare dhe shfaq vështirësinë që...

Të fundit nga rubrika