Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, pas një takimi privat me ish-presidentin amerikan Donald Trump në Florida, ka thënë se ish-presidenti amerikan ka plane për të sjellë një përfundim në konfliktin e Rusisë në Ukrainë, dhe se ai nuk do t’i japë Kievit fonde të tjera për ta shpejtuar përfundimin e konfliktit.

“Ai nuk do t’i japë asnjë qindarkë në luftën Ukrainë-Rusi. Kjo është arsyeja pse lufta do të përfundojë”, ka deklaruar kryeministri konservator pas takimit me Trump në Florida.

Ish-presidenti amerikan është zotuar t’i japë fund luftës “brenda 24 orëve” nëse zgjidhet – por nuk dha detaje.

Në një intervistë pas kthimit në Hungari për televizionin shtetëror M1 më 10 mars, Orbani ka theksuar se Ukraina e vetme nuk mund të qëndrojë në këmbët e saj, raporton BBC.

Kryeministri hungarez, gjithashtu, ka bërë të ditur se qeveria e tij nuk ka për qëllim të dërgojë armë në Ukrainë, duke ruajtur marrëdhëniet e mira me Moskën.

“Nëse amerikanët nuk japin para dhe armë, e as evropianët po ashtu, atëherë kjo luftë do të marrë fund. Dhe, nëse amerikanët nuk japin para, evropianët nuk janë në gjendje ta financojnë këtë luftë vetëm, dhe kështu kjo luftë do të merrte fund”, ka shtuar ai.

Trump nuk e ka komentuar publikisht intervistën televizive të Orban.

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Orban nuk u takua me presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden, i cili pritet të jetë rivali kryesor i Trump në zgjedhjet presidenciale në nëntor.

Është shumë e pazakontë që një lider i huaj vizitues të planifikojë bisedime me ish-homologët e tij pa u thirrur në udhëheqjen aktuale.