Orët e fundit për presidentin dhe ndryshimet në Ligjin për Specialen

Screenshot

Sot e marte, 6 tetor, është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ndërsa deputetët ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e kreut të shtetit. Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet sot, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministri Albin Kurti janë takuar disa herë ditëve të fundit, por deri tani nuk kanë arritur marrëveshje për presidentin.

Takimi i tyre i fundit është zhvilluar të hënën pasdite dhe ka zgjatur disa orë. Pas takimit, as Kurti dhe as Hamza nuk kanë dhënë deklaratë për media.

Në të njëjtën kohë, në Kuvend ka mbetur pezull edhe procedura për miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kuvendi e miratoi të hënën Projektligjin në lexim të parë, me 91 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Megjithatë, Kuvendi i mbylli punimet pa e proceduar mocionin e PDK-së për procedurë të përshpejtuar dhe miratimin e Projektligjit në lexim të dytë brenda së njëjtës ditë.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila e mbështeti Projektligjin në lexim të parë, kërkoi që paralelisht të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se kanë mbetur vetëm pak orë deri në përfundimin e afatit për shmangien e zgjedhjeve.

PDK-ja, ndërkaq, ka kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Specialen të miratohen pa u kushtëzuar me çështjen e presidentit.

Pas takimit Kurti-Hamza, PDK-ja mblodhi Grupin Parlamentar. Deputeti Arian Tahiri tha se votimi i ndryshimeve në Ligjin për Specialen është përgjegjësi e të gjitha forcave politike.

“Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilës forcë politike dhe secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, të vijë në Kuvend në këto orë sa kanë mbetur para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të miratohet Ligji për Specialen edhe në lexim të dytë”, ka thënë Tahiri.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, kërkoi që Projektligji të miratohet pa kushte. Ajo tha se, sipas PDK-së, LVV-ja e ka kushtëzuar votimin e tij me zgjedhjen e presidentit.

“Ne kërkojmë që Ligji të miratohet pa asnjë kusht. Janë procese të ndara”, ka deklaruar Çitaku.

Ndërkohë, LDK-ja është shprehur e gatshme të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit. Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë më 28 shtator se partia nuk ishte në pozitë të deklarohej pro apo kundër një kandidati, por kishte vullnet për zgjidhjen e çështjes.

AAK-ja, ndërkaq, ka refuzuar takimet me Kurtin për çështjen e presidentit. Deputeti Ramush Haradinaj e ka akuzuar kryeministrin se synon ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

Përderisa çështja e presidentit dhe miratimi përfundimtar i ndryshimeve në Ligjin për Specialen kanë mbetur të pazgjidhura, jashtë Kuvendit protesta e veteranëve dhe qytetarëve përfundoi të hënën me përplasje me Policinë.

Protestuesit kërkuan që Projektligji për Specialen të miratohet edhe në lexim të dytë, ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës dhe topin e ujit për t’i shpërndarë ata.

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika